Dhuna në familje vazhdon të mbetet një prej problemeve më serioze sociale në Kosovë. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Drejtësisë, gjatë periudhës janar-qershor 2026 janë raportuar gjithsej 1,341 raste të dhunës në familje, duke përfshirë viktima të gjinive dhe grupmoshave të ndryshme. Kjo i i bie se në Kosovë mesatarisht raportohen më shumë se shtatë raste të dhunës në familje çdo ditë.
Sipas statistikave për viktimat e përfunduara me fatalitet, janë evidentuar gjashtë persona të vrarë – katër burra dhe dy gra. Ndërkaq, sa i përket dhunimeve seksuale të raportuara brenda familjes, janë regjistruar dy raste, përkatësisht në Pejë dhe Gjilan.
Për sa u përket urdhrave për mbrojtje të përkohshme emergjente, janë lëshuar gjithsej 77 urdhra. Mitrovica shënon numrin më të lartë të shqiptimit të këtyre urdhrave, e ndjekur nga Prishtina dhe Gjakova me nga tetë raste, si dhe Prizreni, Ferizaj dhe Gjilani me nga tri raste secili.
Nga raporti i Ministrisë së Drejtësisë rezulton se numri më i lartë i kryesve të dhunës në familje i përket grupmoshës 30-40 vjeç, ku shumica e viktimave janë gra. Ndërkaq, mosha më e prekur e viktimave i përket grupmoshës 20-30 vjeç.
Sa i përket rajoneve, Prishtina prin me numrin më të madh të raportimeve për dhunë në familje me 441 raste. Pas saj renditen:
- Mitrovica: 174 raste
- Gjakova: 165 raste
- Peja: 162 raste
- Gjilani: 150 raste
- Prizreni: 135 raste
- Ferizaj: 114 raste
