Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka trajtuar mbi 1.567 ankesa të konsumatorëve gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.
Sipas MINTI-t, numri më i madh i ankesave lidhet me keqllogaritjet e orës në njehsorët elektrikë, garancionin dhe kthimin e mallit, mospërputhjen e çmimeve në markete, si dhe me blerjet online dhe mosdorëzimin e produkteve sipas përshkrimit.
Nga ministria theksojnë se numri i lartë i ankesave tregon se në shumë raste operatorët ekonomikë nuk po respektojnë plotësisht të drejtat e konsumatorëve, duke paralajmëruar rritje të mbikëqyrjes së tregut dhe masa shtesë për mbrojtjen e qytetarëve.
Ndërkohë, MINTI ka njoftuar se ka shqiptuar një tjetër gjobë prej 25 mijë eurosh ndaj KEDS-it, pasi gjatë kontrolleve janë gjetur pesë njehsorë elektrikë me afat të skaduar të verifikimit.
Deri më tani, ndaj KEDS-it janë shqiptuar gjithsej gjashtë gjoba, me vlerë totale prej 336 mijë eurosh.
Nga Zyra e Rregullatorit për Energji është bërë e ditur se konsumatorët që vërtetohet se janë dëmtuar nga devijimi i orës në njehsorë do të kompensohen plotësisht, ndërsa procedura e ankesës duhet të kalojë fillimisht përmes MINTI-t dhe KEDS-it, para se të dërgohet në ZRRE./A.K/
