Mbetjet e uraganit Kirk kanë lënë pas një shkatërrim të madh në Evropën Perëndimore, duke shkaktuar ndërprerje masive të energjisë elektrike. Pasi kaloi Spanjën dhe Portugalinë, stuhia goditi jugun e Francës, ku përmbytjet dhe erërat e forta shkaktuan humbjen e një jete dhe paralizuan infrastrukturën lokale.
Në qytetin port të Sète, në jug të Francës, tre varka u përmbysën nga stuhia, duke marrë jetën e një marinari amator dhe duke lënë një tjetër në gjendje kritike. Autoritetet vendase raportuan se 64,000 persona në këtë rajon mbetën pa energji elektrike, ndërsa disa rrugë u bllokuan nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura.
Pas këtij incidenti tragjik, qeveria franceze vendosi një alarm për të gjitha departamentet, me përjashtim të Seine-et-Marne, pranë Parisit, ku është aktivizuar një alarm i kuq për përmbytjet.
Pas një takimi emergjent në Paris, Ministrja e Energjisë dhe Tranzicionit Ekologjik, Agnes Pannier-Runacher, theksoi se qeveria ishte e mobilizuar plotësisht për të përballuar situatën. Ajo gjithashtu paralajmëroi se këto fenomene do të jenë gjithnjë e më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike: “Ne po jetojmë në një kohë kur ndryshimi i klimës po ndihet në mënyra të qarta në jetën tonë të përditshme.”
Parashikuesit e motit paralajmëruan se pjesë të vendit, përfshirë edhe Parisin, do të përballeshin me reshje të barabarta me ato të një muaji brenda një dite të vetme. Në total, 29 departamente në Francë janë në gatishmëri për shkak të reshjeve dhe erërave të fuqishme, përcjellë UBTNews.
Në departamentin më të goditur të Pyrenees-Atlantiques, 35,000 familje mbetën pa energji elektrike, ndërsa shumë zona në jugperëndim dhe në qendër të vendit gjithashtu raportuan ndërprerje të rrymës. Shërbimi kombëtar i energjisë, Enedis, po punon për të rikthyer energjinë sa më shpejt të jetë e mundur.
Ndërkohë, në Portugali, uragani shkaktoi mbi 1,300 incidente, shumica e tyre pemë të shkulura në veri të vendit. Qyteti i Portos, i goditur më rëndë, raportoi shkuljen e 400 pemëve, dëmtimin e makinave dhe ndërprerjen e shërbimeve hekurudhore. Rreth 300,000 familje mbetën pa energji elektrike për disa orë, sipas furnizuesit vendas.
Në Spanjë, erërat e forta deri në 140 km/h goditën veriun dhe veriperëndimin e vendit, me rajonin e Asturias në alarm portokalli. Galicia, po ashtu e prekur nga stuhia, raportoi rrëshqitje dheu dhe pemë të rëna që bllokuan rrugë dhe zona të ndryshme urbane.
Me parashikimin e mëtejshëm të kushteve të këqija të motit dhe rritjen e reshjeve, autoritetet e të gjitha vendeve të prekura janë në gatishmëri të plotë për të përballuar pasojat e mëtejshme të stuhisë Kirk.