UBT News

​“Mbështetja për Shqipërinë mund të zbehet në Kosovë”, kritikohen zhvillimet e fundit në futbollin shqiptar

Kandidatura e përbashkët e Federatës Shqiptare të futbollit më atë të Serbisë për organizimin e Kampionatit Evropian Euro 2027 për grupmoshat U21, paraqitja e gazetarit shqiptar me simbole të shtetit serb por edhe emërimi i një trajneri serb në krye të skuadrës shqiptare, Partizanit ka nxitur reagime të shumta në opinionin futbolldashës në Kosovë.

Analistët, trajnerë dhe njohësit e futbollit në Kosovë konsiderojnë se një qasje e tillë në Shqipëri mund të sjellë edhe zbehjen e mbështetjes që tifozët kosovarë kanë për Kombëtaren Shqiptare.

Gazetari i sportit, Lulzim Shala ka thënë se kjo sjellje e akterëve të sportit në Shqipëri nuk është rruga e duhur dhe është e dëmshme edhe në aspektin moral.

Ne jemi shumë të ndjeshëm në këtë drejtim dhe duhet edhe Shqipëria në këtë aspekt të ketë pak kujdes…Kjo është shumë e dëmshme në aspektin moral sepse po ndikon në aspektin e bashkëpunimit ndërmjet dy federatave…Kjo praktikë nuk po çon në rrugë të drejtë, duhet të jetë bashkëpunimi shumë më i madh Kosovë-Shqipëri, të na kuptojë edhe Shqipëria ne se çfarë telashe kemi pasur në të kaluarën me Serbinë”, deklaroi Shala.

Kurse gazetari Arlind Sadiku konsideron se përmes këtyre lëvizjeve po tentohet të normalizohet fakti që Shqipëria dhe Serbia kanë shpallur kandidaturn për Evropianin U21 në vitin 2027.

Mendoj se po fillon të organizohet, të bëhet tereni për Kampionatin Evropian 2027 që do të organizohet ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë. Në këtë formë po mundohen që të lidhen urat e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, qoftë duke sjellë trajner apo duke dalë publikisht gazetarë me fanellën e Serbisë, duke e normalizuar në një far formë për popullin për njerëzit një bashkëpunim ndërmjet dy shteteve që për shqiptarët e Shqipërisë mund të duket normal, por për shqiptarët e Kosovës nuk është normal…Ne po shohim që propaganda anti-Kosovë është duke u rritur vazhdimisht, nuk është që po marrin mësim apo serbët po fillojnë ta pranojnë këtë bashkëpunim ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës por ata po e rrisnin propagandën anti-Kosovë”, theksoi Sadiku.

Madje, sipas njohësve, kjo situatë mund të çojë edhe në zbehjen e mbështetjes së tifozëve kosovarë për kombëtaren kuq e zi.

Mendja që do të ndikojë, sidomos me ofrimin e Kohës së Kampionatit Evropian. Ne kemi parë që edhe tifozët kuq e zi zyrtarisht e kanë kundërshtuar organizimin e Kampionatit Evropian ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë dhe mendoj se edhe përkrahja e tifozëve ndaj Kombëtares Shqiptare do të zbehet nëse vazhdon me këtë bashkëpunim ndërmjet dy shteteve sepse po shohim që vetëm njëra anë po shpreh gatishmëri”, theksoi Sadiku.

Kjo për shkak se kosovarët janë ende shumë të ndjeshëm kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me Serbinë.

Tifozët e Kosovës e kanë ngjallur Kombëtaren e Shqipërisë në futboll që nga vitit 2000 e tutje Shqipëria ka pasur pak tifozë, duhet thënë hapur këtë gjë, kurse tifozët e Kosovës e kanë ngjallur Kombëtaren e Shqipërisë. Natyrisht që mund të ketë ndikim shumë negativ në këtë drejtim sepse ne jemi shumë të ndjeshëm në këtë aspekt”, shtoi Shala.

Për më tepër, trajneri i futbollit, Gani Sejdiu ka tërhequr vërejtjen që nëse vazhdon ky lloj trendi, Kosova duhet ta shoh nga një kënd tjetër mbështetjen e pakusht ndaj Shqipërisë.

Unë mendoj që këto gjëra kanë filluar të shpeshtohen, gjëra të cilat ne na prekin shumë sepse e dikë se sa jemi të lidhur ne kosovarët për shtetin e Shqipërisë, kështu që kjo nuk është e mirë…Kjo gjithsesi mund të ndikojë shumë sepse nëse vazhdon ky trend atëherë vjen në një moment ku edhe ne duhet të vetëdijësohemi dhe t’i shikojmë gjërat nga një kënd tjetër…Nëse dikush nuk të respekton, atëherë edhe respekti yt ndaj dikujt mund të zbehet”, ka thënë Sejdiu.

Ndryshe, së fundmi, në një intervistë për KosovaPress, ka reaguar edhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës i cili ka thënë se nuk i ka pëlqyer bashkëpunimi i Federatës Shqiptare të futbollit më atë të Serbisë për organizimin e Kampionatit Evropian të futbollit për grupmoshat U21 në viti 2027.

 

 

Exit mobile version