“Nuk kam frikë nga humbja e vendeve të punës”, deklaroi Bella Hadid në profilin e saj në Instagram vetëm pak ditë më parë. “Unë do të vazhdoj të qëndroj hapur në favor të Palestinës”.
Dhe kështu, sipas Internetit, profecia do të ishte realizuar. Për fushatën e Krishtlindjeve 2023, u tha se Dior e kishte “zëvendësuar” top modelen me May Tager, një modele me origjinë izraelite, duke shkaktuar kritika nga njerëzit, të cilët në orët e fundit, në X Twitter), madje kanë krijuar një hashtag #BoycottDior (Bojkoto Dior). Megjithatë, sipas asaj që u deklarua nga ‘Associate Press’, ky lajm është i rremë: kontrata e Bella Hadid me Dior ka përfunduar në mars 2022 dhe nuk është rinovuar “për arsye komerciale”.
Madje, në atë kohë modelja izraelite May Tager ishte shfaqur tashmë në fushatën e Krishtlindjeve të po këtij viti, së bashku me modele të tjera dhe protagonisten dhe ambasadoren e shtëpisë franceze të modës, aktoren Anya Taylor-Joy.
Bella Hadid, një top modele 27-vjeçare me origjinë palestineze nga ana e babait të saj, ka përdorur disa herë rrjetet sociale ndër vite për t’u shprehur për konfliktin midis Izraelit dhe Palestinës, pa e fshehur mbështetjen për atdheun e saj.
Është e qartë, pra, se komentet e saj mund të jenë përçarëse, duke marrë mbështetje nga ata që përqafojnë kauzën e saj dhe kritika nga ata që mbajnë një anë tjetër. Por në këtë rast nuk ka asnjë zëvendësim dhe asnjë lidhje me konfliktin në Lindjen e Mesme, megjithëse shumë përdorues të internetit, pa dëgjuar arsyet, pohojnë me vendosmëri të kundërtën. “Në momente si këto”, lexojmë mes komenteve të lidhura me hashtag-un, “xhirimi i një reklame me një modele izraelite ndërsa vendi i saj shfaros fëmijët e Gazës është thjesht një shaka e trishtë”./RevistaClass