Mbrëmjen e sotme, në orën 21:00, stadiumi kombëtar i Varshavës në Poloni do të presë një përballje për Superkupën e Europës, ku Real Madrid dhe Atalanta do të luftojnë për të fituar trofeun e parë të sezonit të ri. Los Blancos vijnë si fitues të Champions League, ndërsa italianët si fitues të Europa League.
Kjo ndeshje është e veçantë jo vetëm për shkak të statusit të skuadrave, por edhe për debutimin e shumëpritur të Kylian Mbappe me fanellën e Real Madrid. Sulmuesi francez, i cili u transferua këtë verë, do të ketë mundësinë të shfaqë talentin e tij në minutat e para me skuadrën e re.
Në anën tjetër, Berat Gjimshiti dhe Atalanta do të përpiqen të shfrytëzojnë mundësinë për të shkaktuar një tjetër befasi, duke ndalur planet e Mbappe dhe të tjerë të Real Madrid.
Tifozët e futbollit do të ndjekin me interes të madh këtë sfidë të shumëpritur, e cila premton të sjellë momente të paharrueshme dhe një luftë të fortë për trofeun e parë të sezonit.