UBT News

Mbappe ‘tradhtohet’ nga Federata Franceze për shumën 55 milionë euro që i detyrohet PSG-ja

Kylian Mbappé ka pësuar një goditje të re në betejën ligjore me Paris Saint-Germain, pasi Federata Franceze e Futbollit (FFF) nuk ka marrë masat që priste. Sipas raportimeve nga media franceze L’Équipe, Federata ka refuzuar të dërgojë çështjen ligjore që përfshin një shumë prej 55 milionë eurosh nga PSG-ja për te UEFA, siç kishte kërkuar avokatja e Mbappé, Delphine Verheyden.

Mbappé dhe ekipi i tij ligjor po kërkojnë që PSG-ja t’i paguajë këtë shumë, e cila, sipas lojtarit, i detyrohet atij nga klubi. Ky është një konflikt i gjatë, me Mbappé-n që pretendon se klubi e ka shkëputur marrëveshjen që kishte me të, duke përfshirë pagesa të caktuara. Nga ana tjetër, PSG-ja mbron që lojtari ka rënë dakord me presidentin e klubit, Nasser Al Khelaifi, për të falur këtë shumë, një pohim që Mbappé e ka mohuar, duke thënë se nuk ka asnjë dokument apo marrëveshje të nënshkruar për këtë çështje.

Çështja tani është duke pritur një vendim nga gjykata e Parisit, pas apelimit që Mbappé ka bërë ndaj një vendimi të mëparshëm. Përderisa procesi ligjor vazhdon, Federata Franceze nuk ka dërguar ende dokumentacionin përfundimtar te UEFA, gjë që ka vonuar gjithashtu analizën e rastit nga institucioni i futbollit evropian. Vendimi përfundimtar i gjykatës dhe çështja ligjore pritet të zgjidhen pas disa muajsh./UBTNews/

Exit mobile version