Kylian Mbappé realizoi dy gola, ndërsa Ousmane Dembélé kontribuoi me një gol dhe një asistim në fitoren e sigurt 3:0 të Francës ndaj Irakut, në një ndeshje të zhvilluar në Philadelphia.
Takimi u shndërrua në një maratonë të vërtetë. Ai nisi në orën 23:00 të së hënës, por përfundoi pak para orës 03:00 të mëngjesit të së martës, pasi fillimi i pjesës së dytë u shty për afro dy orë për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike.
Mbappe hapi serinë e golave me një supergol në minutën e 14-të për epërsinë 1:0. Sulmuesi francez realizoi edhe golin e dytë në minutën e 54-t, pas asistimit të Dembeles.
Dembélé vulosi fitoren me golin për 3:0 në minutën e 66-të. Në golin e parë të Mbappes dhe në atë të Dembeles asistoi Michael Olise.
Me këtë fitore, Franca siguroi kualifikimin nga Grupi I në fazën nokaut të Kupës së Botës, ndërsa Iraku mbeti pa pikë dhe u eliminua nga gara.
Mbappe vazhdon të shkruajë histori. Me dy golat e shënuar ndaj Irakut, ai arriti kuotën e 16 golave në Kupat e Botës, duke barazuar rekordin e Miroslav Klose. Vetëm dy gola më shumë ka rekordmeni aktual, Lionel Messi.
Kjo ishte paraqitja e 100-të e Mbappes me fanellën e Francës, ndërsa ai tashmë numëron 60 gola me kombëtaren. Sulmuesi 27-vjeçar kishte shënuar dy herë edhe në fitoren 3:1 ndaj Senegalit në ndeshjen e parë të grupit.
Franca do ta zhvillojë ndeshjen e radhës më 26 qershor, kur përballet me Norway në duelin për vendin e parë në grup.
D.L
