Ylli francez i Real Madridit, Kylian Mbappe, është përfshirë në një valë reagimesh në Kinë, pas disa komenteve të dyshuara për ish-udhëheqësin kinez Mao Ce Dun, të cilat kanë nxitur polemika të shumta në rrjetet sociale.
Sipas raportimeve të BBC-së, disa marka të njohura kineze kanë ndërprerë bashkëpunimin me sulmuesin francez, pas shpërndarjes së disa videove në internet.
Polemikat nisën pas publikimit të disa pamjeve nga një emision francez, ku Mbappe dyshohet se ka folur për një imazh humoristik në internet, të njohur si “meme”, ku fytyra e tij ishte vendosur mbi figurën e një personi që i ngjante Mao Ce Dunit.
“Është një nga memet që më bën të qesh më shumë. Ajo ku shfaqet një burrë, besoj se është një diktator kinez. E përdor gjatë gjithë kohës me miqtë e mi”, raportohet të ketë thënë Mbappe.
Megjithatë, autenticiteti i pamjeve nuk është konfirmuar dhe videoja origjinale nuk gjendet më në kanalin zyrtar të emisionit në YouTube. Gjithashtu, futbollisti francez nuk e ka përmendur drejtpërdrejt emrin e Maos.
Pavarësisht kësaj, pamjet janë përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale kineze, duke shkaktuar reagime të shumta nga publiku.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës, duke theksuar se deklaratat apo veprimet që cenojnë ndjenjat e qytetarëve kinezë do të përballen me kundërshtime nga shoqëria.
Ndërkohë, sipas raportimeve të mediumit kinez “The Paper”, transmetuesi shtetëror CCTV ka pezulluar transmetimin e ndeshjeve të La Ligas, ndërsa nga platformat e tij janë larguar edhe materiale që lidhen me sulmuesin francez.
Pas polemikave, kompanitë kineze Mengniu, Dongpeng dhe Milkground raportohet se kanë ndërprerë marrëveshjet e bashkëpunimit me Mbappen, megjithëse nuk kanë dhënë shpjegime të hollësishme për vendimet e tyre.
Mbappe gëzon popullaritet të madh në tregun kinez dhe ka qenë i përfshirë në disa marrëveshje të rëndësishme reklamimi, çka ka bërë që kjo situatë të marrë vëmendje të konsiderueshme.
Sipas BBC-së, nofka “diktator” është përdorur më herët në mënyrë ironike ndaj futbollistit francez, për shkak të ndikimit që i atribuohet në vendimmarrjen sportive. Kjo ka nxitur krijimin e imazheve humoristike me figurën e tij në internet.
Deri më tani, nuk është konfirmuar ndonjë reagim zyrtar i Mbappes lidhur me polemikat.
Burimi: BBC.
D.L
