UBT News

Mbappe kërkon falje publike pas polemikave në Kinë

Ylli francez i Real Madridit, Kylian Mbappe, ka kërkuar falje publike pas reagimeve të shumta që shkaktuan komentet e tij lidhur me një imazh humoristik, në të cilin ai krahasohej me ish-udhëheqësin kinez Mao Ce Dun.

Polemikat nisën pas shpërndarjes së një videoje në rrjetet sociale, ku sulmuesi francez komentonte një imazh të montuar me fytyrën e tij mbi figurën e një personi që e përshkroi si diktator kinez.

Pas reagimeve të ashpra dhe ndërprerjes së bashkëpunimit nga disa kompani kineze, Mbappe reagoi përmes platformës X, duke pranuar se komentet e tij kishin qenë të pamenduara.

“Gjatë një interviste të fundit, reagova ndaj një imazhi tim. Komenti im ishte i pamenduar dhe tani e kuptoj se lëndoi shumë njerëz në Kinë dhe komunitetet kineze në mbarë botën”, shkroi Mbappe.

“U kërkoj falje të gjithë atyre që janë ndier të fyer nga fjalët e mia. Ky nuk ishte aspak qëllimi im. Kam respekt të thellë për popullin kinez dhe historinë e tij dhe më vjen sinqerisht keq”, shtoi ai.

Sipas raportimeve të Reuters, autenticiteti i videos që nxiti polemikat nuk ka mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Ndërkohë, disa kompani të njohura kineze, përfshirë Mengniu, Shanghai Milkground Food Tech dhe Eastroc Beverage, kanë njoftuar ndërprerjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit me futbollistin francez.

Kompanitë kanë deklaruar se kundërshtojnë çdo veprim apo deklaratë që mund të cenojë ndjenjat e popullit kinez.

Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale kineze, ku disa përdorues kanë kërkuar masa më të ashpra ndaj Mbappes.

Sipas mediave kineze, televizioni shtetëror ka pezulluar transmetimin e përmbajtjeve që lidhen me La Ligën dhe sulmuesin francez, ndërsa disa reklama me imazhin e tij janë larguar.

Për situatën ka reaguar edhe presidenti i La Ligës, Javier Tebas, i cili ka shprehur keqardhje për polemikat dhe ka theksuar se organizata po bashkëpunon me partnerët kinezë për tejkalimin e tyre.

Ai ka nënvizuar se marrëdhëniet e ndërtuara ndër vite nuk duhet të cenohen nga një incident i vetëm.

Kjo ngjarje ka ngritur pikëpyetje mbi ndikimin që polemikat publike mund të kenë në marrëveshjet komerciale të futbollistëve, veçanërisht në tregun kinez, ku Mbappe gëzon popullaritet të madh.

D.L

Exit mobile version