UBT News

Mbappé kërkon falje ndaj Kinës pas deklaratës për Mao Ce Dunin, kompanitë ndërpresin bashkëpunimin me të

Kapiteni i Përfaqësueses së Francës, Kylian Mbappé, ka kërkuar falje publike ndaj Kinës pas reagimeve të shumta negative që shkaktuan komentet e tij për ish-liderin kinez Mao Ce Dun, të cilin e kishte cilësuar si diktator,  shkruan Reuters.

Gjithçka nisi gjatë një bisede në një podcast francez, tashmë të fshirë, ku sulmuesi i Real Madridit komentoi një fotografi humoristike, në të cilën fytyra e tij ishte vendosur mbi imazhin e një personi që, sipas tij, ishte një diktator kinez.

Pas kritikave të shumta, Mbappé reagoi përmes një deklarate, duke pranuar se komentet e tij ishin të pamatura dhe se kishin lënduar shumë njerëz në Kinë dhe komunitetet kineze në mbarë botën.

“Gjatë një interviste të fundit, reagova ndaj një fotografie timen. Komenti im ishte i pamenduar mirë dhe tani e kuptoj se ka lënduar shumë njerëz në Kinë dhe komunitetet kineze në mbarë botën. Kërkoj falje nga të gjithë ata që janë ndier të ofenduar nga fjalët e mia. Ky nuk ishte aspak qëllimi im”, deklaroi Mbappé.

Reagimi i futbollistit ka nxitur shqetësime edhe në mesin e kompanive të mëdha që kanë marrëdhënie komerciale me të, duke rikthyer në vëmendje ndjeshmërinë e tregut kinez ndaj deklaratave publike të figurave të njohura.

Disa kompani kineze, përfshirë prodhuesit e produkteve të qumështit Mengniu dhe Shanghai Milkground Food Tech, si dhe kompaninë e pijeve Eastroc Beverage, kanë njoftuar ndërprerjen e menjëhershme të bashkëpunimit me futbollistin.

Ato kanë deklaruar se kundërshtojnë çdo fjalë apo veprim që cenon ndjenjat e popullit kinez.

Ndërkohë, televizioni shtetëror i Kinës ka pezulluar transmetimin e të gjitha ndeshjeve dhe ngjarjeve që përfshijnë La Ligën dhe Mbappén, ndërsa reklamat me imazhin e futbollistit janë larguar nga platformat përkatëse, raportojnë mediat kineze.

Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, ka zhvilluar gjithashtu një takim me ambasadorin e Kinës në Spanjë, me synimin për të gjetur një zgjidhje dhe për të shmangur përkeqësimin e situatës.

Ai theksoi se Kina mbetet një partner strategjik për La Ligën dhe se një incident i vetëm nuk duhet të dëmtojë marrëdhëniet e ndërtuara ndër vite.

Edhe kompania zvicerane On Holding, me të cilën Mbappé nënshkroi kontratë në shtator, pas dy dekadash bashkëpunimi me Nike, ka mirëpritur kërkimfaljen e futbollistit, duke shprehur respekt të thellë për Kinën.

Në anën tjetër, kompanitë Accor dhe Lego nuk kanë dhënë komente të drejtpërdrejta lidhur me rastin. Seti i ndërtimit me figurën e Mbappés vazhdonte të ishte i disponueshëm në faqen zyrtare kineze të Lego-s.

Çështja ka marrë përmasa të mëdha edhe në rrjetet sociale kineze, veçanërisht në platformën Weibo, ku disa prej temave më të kërkuara lidhen me futbollistin francez. Një pjesë e përdoruesve kanë kërkuar që ai të vendoset në listën e zezë dhe të humbasë vlerën e tij komerciale në tregun kinez.

Edhe pse Mbappé ka kërkuar falje, reagimet mbeten të ndara. Televizioni shtetëror CCTV ka mbajtur një qëndrim më të matur, duke theksuar se do të vlerësojë jo vetëm fjalët e futbollistit, por edhe veprimet e tij në vazhdim.

Rasti i fundit është një tjetër dëshmi se sa e ndjeshme mund të jetë marrëdhënia mes yjeve të sportit, sponsorëve ndërkombëtarë dhe tregut kinez, ku një deklaratë e vetme mund të ketë pasoja të mëdha financiare dhe reputacionale.

D.L

Exit mobile version