UBT News

​Mbappé fiton Këpucën e Artë

Kylian Mbappé është shpallur golashënuesi më i mirë në Evropë për sezonin 2024/25, duke fituar për herë të parë në karrierë Këpucën e Artë.

Ceremonia u mbajt në zonën presidenciale të “Santiago Bernabéu”-s, ku sulmuesi francez u prit me nderime nga shokët e skuadrës, drejtuesit dhe presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez.

Mbappé shënoi 31 gola në 34 ndeshje të La Ligës, duke u bërë lojtari i tretë në historinë e Real Madridit që fiton këtë çmim, pas Hugo Sánchez (1989/90) dhe Cristiano Ronaldos, i cili e fitoi tri herë me “Los Blancos”.

“Është kënaqësi e madhe ta marr këtë çmim. Faleminderit shokëve të skuadrës dhe gjithë klubit që më kanë ndihmuar. Është një ditë e veçantë për mua dhe për familjen time. Shpresoj ta fitoj përsëri sezonin e ardhshëm”, tha Mbappé gjatë fjalimit të tij.

Presidenti Pérez e vlerësoi yllin francez duke thënë: “Ky është fryt i punës së tij. Jam shumë krenar që kemi një lojtar si Kylian, i cili përfaqëson vlerat e Real Madridit.”

Me këtë sukses, Mbappé i jep fund një dekade pa “Këpucë të Artë” në klubin madrilen dhe konfirmon statusin e tij si lider i ri i “Los Blancos”./S.K/KP/

Exit mobile version