Mbi 26 mijë nxënës të klasave të nënta, sot i janë nënshtruar testit të arritshmërisë. Testimi në të 155 qendrat ka filluar në kohë, por që edhe këtë herë ka pasur nxënës që janë përjashtuar nga testi për shkak të përdorimit të telefonit gjatë kohës së testimit.
Në qendrat e testimit në secilin klasë kanë qenë nga 15 nxënës, ndërsa është vërejtur respektim i masave anti-COVID.
Shefi i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Fatmir Elezi, tha se testimi ka filluar me kohë në të gjithë qendrat e testimit, derisa ka bërë të ditur se disa nxënës janë larguar nga testimi për shkak të përdorimit të telefonave.
Elezi tha se këtë herë nuk kanë vërejtur që nxënësit kanë postuar testin në rrjetet sociale.
Në shkollën fillore të mesme të ulët “Faik Konica”, testin e arritshmërisë e kanë mbajtur nxënësit e kësaj shkolle dhe ata të shkollës “Iliria”.
Drejtoresha e shkollës fillore të mesme të ulët “Faik Konica”, Shqipe Vllasaliu- Mehmedi, tha se gjithçka ka shkuar në rregull dhe se nuk kanë pasur ndonjë parregullsi.
Ndërsa, në shkollën fillore të mesme të ulët “Elena Gjika”, testin e arritshmërisë e kanë mbajtur nxënësit e tri shkollave. Sipas drejtorit Betim Sylejmani, i gjithë procesi ka shkuar në rregull.
Pas përfundimit të testimit, nxënësit deklaruan se gjithçka ka shkuar në rregull, por që disa pyetje kanë qenë nga mësimet që nuk i kanë mësuar për shkak që mësimin herë është mbajtur online e herë me prezencë fizike në shkolla.
Testin e arritshmërisë e kanë monitoruar mbi 2 mijë administratorë, ndërsa rezultatet e këtij testi do të shpallen më 7 qershor.