Aventura e Walter Mazzarrit te Napoli mund të quhet e përfunduar. Barazimi ndaj Genoas në fundjavë ka bërë që presidenti napoletan të humbë durimin dhe t’i komunikojë shkarkimin trajnerit 63-vjeçar, ndonëse nga klubi i Napolit nuk ka ardhur ende komunikata zyrtare.
Mediat italiane raportojnë se Mazzarri ka drejtuar seancën e sotme stërvitore dhe është larguar nga qendra stërvitore e klubit, pasi ka rënë dakord të ndërpresë bashkëpunimin me presidentin De Laurentiis.
Ndërkohë ky i fundit është takuar me Francesco Calzonën, trajnerin italian që momentalisht drejton kombëtaren e Sllovakisë dhe ka marrë miratimin nga federata sllovake që të ulet edhe në pankinën e Napolit për tre muaj.
Calzona pritet të drejtojë Napolin që në ndeshjen e të mërkurës ndaj Barcelonës në Champions League, teksa raportohet se pjesë e stafit të 55-vjeçarit italian do të jetë edhe ish-kapiteni i napolitanëve, Marek Hamsik.
Kjo do të jetë hera e tretë për Calzonën në stolin e Napolit, pasi në dy eksperienca të mëparshme ka shërbyer si ndihmëstrajner, ndërsa tani pritet të kthehet si trajner i parë dhe të provojë t’i ndryshojë fytyrën skuadrës deri në fund të sezonit./UBTNews/