Kur kanë mbetur edhe nëntë ditë para nisjes zyrtare të procesit mësimor në të gjitha shkollat në Kosovë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës përmes një komunikate u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të mos nxitojnë me blerjen e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore.
Ministria njofton se procesi i negocimit të çmimeve me shtëpitë botuese ende nuk ka përfunduar, për çfarë arsye katalogu përfundimtar me çmimet përkatëse nuk është publikuar ende në faqen zyrtare. Pas përfundimit të këtyre negociatave, MASH-i do të bëjë publik katalogun si dhe do të përcaktojë shumën e subvensioneve për çdo nxënës.
“U bëjmë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të presin publikimin zyrtar të katalogut dhe të mos bëjnë blerje paraprake të teksteve mësimore,” thuhet ndër të tjera në komunikatën e ministrisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Përmes këtij njoftimi, u bëhet apel edhe librarive e shitësve që të mos fillojnë shitjen e librave para përfundimit të procedurave zyrtare. Ministria udhëzon prindërit që për çdo informacion të mëtejshëm t’u referohen vetëm kanaleve zyrtare të saj. /E.A/
