Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka miratuar Katalogun Zyrtar të Teksteve Shkollore dhe ka njoftuar se janë ekzekutuar mjetet financiare në llogaritë e prindërve përfitues për subvencionimin e teksteve për nxënësit e klasave 1–9, për vitin shkollor 2026/2027.
Sipas MASh-it, aplikimi për subvencionim ka nisur më 27 korrik përmes platformës eKosova. Aplikimet janë verifikuar fillimisht nga koordinatorët e autorizuar nëpër shkolla dhe më pas nga komisioni përkatës i ministrisë, ndërsa lista përfundimtare e përfituesve i është përcjellë Ministrisë së Financave për realizimin e pagesave.
Pas negociatave me shtëpitë botuese, ministria ka përcaktuar edhe çmimet finale të teksteve shkollore. Këto çmime janë të përfshira në katalogun zyrtar dhe janë të detyrueshme për të gjitha pikat e shitjes.
Vlera e subvencionimit për tekstet shkollore në gjuhën shqipe është:
- Klasat 1 dhe 2 – 60 euro
- Klasa 3 – 65 euro
- Klasa 4 – 70 euro
- Klasa 5 – 80 euro
- Klasat 6 dhe 7 – 90 euro
- Klasat 8 dhe 9 – 100 euro
Me miratimin e katalogut, prindërit dhe kujdestarët ligjorë mund të nisin blerjen e teksteve shkollore.
MASh u ka bërë thirrje prindërve që gjatë blerjes të kontrollojnë nëse tekstet po shiten me çmimet e përcaktuara në katalogun zyrtar.
Ndërkohë, Inspektorati i Arsimit ka nisur monitorimin e pikave të shitjes për të verifikuar respektimin e çmimeve, ndërsa pas fillimit të vitit shkollor do të kryhen kontrolle edhe në shkolla për të parë nëse nxënësit janë pajisur me tekstet shkollore.
Prindërit që hasin mospërputhje mes çmimeve të katalogut dhe atyre në pikat e shitjes mund ta raportojnë rastin në numrat zyrtarë të MASh-it: +383 (0) 38 200 65 144 dhe +383 (0) 38 200 65 005.
Ministria ka bërë të ditur se sistemi në eKosova mbetet i hapur edhe për fëmijët që ende nuk janë regjistruar në klasën e parë dhe do të regjistrohen në afatin e dytë, si dhe për prindërit e nxënësve të niveleve të tjera që ende nuk kanë aplikuar për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore./A.K/
