Portieri i Aston Villas, Emiliano Martinez, ka folur haptazi rreth kohës së tij në Arsenal, duke këmbëngulur se kurrë nuk kishte dashur t’i bashkohej klubit nga Londra veriore.
Martinez i ishte bashkuar Arsenalit në vitin 2010 nga Independiente për rreth 1.5 milionë euro, duke e lënë familjen në Argjentinë për ta marrë një sfidë të re në Evropë në moshën 17-vjeçare.
Ai e kaloi një dekadë duke u përpjekur të zërë vend në ekipin e parë të topçinjve.
Por tani, Martinez thotë se do të ishte dashur të qëndronte në atdhe dhe të zhvillohej atje në fillim të karrierës.
Martinez, i cili iu bashkua Aston Villës nga Arsenali për 25 milionë euro në shtator 2020, ka shpjeguar se u largua nga Independiente vetëm në mënyrë që t’i ndihmonte familjes financiarisht.
“Arsenali më kërkoi dhe Pepe Santoro (trajneri i Independiente) më tha se një mundësi e tillë të vjen vetëm një herë në jetë. Njëjtë menduan edhe familja dhe menaxherët e mi. Prandaj, vendimi ishte më shumë për ta sesa për diçka tjetër”, tha Martinez për El Pais.
“Nuk doja të shkoja. Nuk pendohem, por doja të luaja për Independiente. Thosha me vete: ‘Nëse qëndroj, debutoj pas dy vjetëve’. Por familja ime nuk kishte para. E bëra më shumë për këtë se për sport”, shpjegoi ai.
Viti i fundit ka qenë i mrekullueshëm për të, pasi Martinez shkëlqeu në portën e Aston Villës, ai i ndihmoi Argjentinës ta fitojë Kupën e Amerikës 2021 gjatë verës, me pritjet e tij madhështore.