Përzgjedhësi i Portugalisë, Roberto Martinez, është shprehur i kënaqur me reagimin e ekipit të tij pas barazimit befasues 1:1 ndaj Kongos në ndeshjen hapëse.
Portugalia u rikthye fuqishëm të martën, duke mposhtur Uzbekistanin me rezultat bindës 5:0. Ylli portugez Cristiano Ronaldo realizoi dy gola dhe vendosi një rekord historik në Kupën e Botës.
“Ky ishte reagimi që dëshironim të shihnim. Ndonjëherë të duhet një ndeshje si e para për t’u rritur gjatë një turneu. Sot pamë një ekip me të njëjtin përkushtim dhe qëndrim, por me më shumë pjekuri, pasi nuk ishte më ndeshja hapëse. Jam shumë i kënaqur me rezultatin”, deklaroi Martinez pas ndeshjes.
Ronaldo bëri histori që në minutën e gjashtë, kur shënoi golin e epërsisë pas asistimit të Joao Cancelos, duke u bërë lojtari i parë që realizon gol në gjashtë turne të ndryshëm të Kupës së Botës. Ai festoi golin së bashku me bashkëlojtarët pranë stolit portugez.
Sulmuesi portugez realizoi sërish në minutën e 39-të, pas një pasimi të Bruno Fernandesit, duke çuar rezultatin në 3:0.
Golin e dytë për Portugalinë e shënoi Nuno Mendes në minutën e 17-të, ndërsa rezultati u thellua në 4:0 pas një autogoli të portierit uzbek, Abduvakhid Nematov, në minutën e 60-të. Golin e pestë dhe të fundit e realizoi Rafael Leao në minutën e 87-të, duke vulosur fitoren e thellë të portugezëve.
Dy golat e Ronaldos e bëjnë atë lojtarin e dytë më të vjetër që shënon në një Kupë Bote, pas kamerunasit Roger Milla, i cili realizoi në moshën 42-vjeçare në Botërorin e vitit 1994.
Paraqitja e Ronaldos erdhi pas kritikave që mori për mosrealizimin e golit në ndeshjen e parë ndaj Kongos. Ai dhe Lionel Messi mbeten të vetmit futbollistë në histori që kanë luajtur në gjashtë turne të Kupës së Botës.
Megjithatë, Ronaldo është i vetmi futbollist që ka shënuar gol në secilin prej gjashtë Botërorëve ku ka marrë pjesë, pasi Messi nuk arriti të realizonte në Botërorin e vitit 2010 në Afrikën e Jugut.
Me dy golat e shënuar ndaj Uzbekistanit, Ronaldo u bë edhe golashënuesi më i mirë në historinë e Portugalisë në Kupat e Botës, duke kaluar rekordin e legjendës Eusebio.
Ndeshja ndaj Uzbekistanit ishte paraqitja e 230-të ndërkombëtare në karrierën e Ronaldos, rekord absolut në futbollin ndërkombëtar. Në moshën 41-vjeçare, ai numëron 975 gola në karrierën e tij të jashtëzakonshme.
Ky pritet të jetë Botërori i fundit për Ronaldon, i cili gjatë karrierës ka fituar Kampionatin Evropian me Portugalinë në vitin 2016 dhe pesë trofe të Ligës së Kampionëve me Manchester United dhe Real Madrid.
D.L
Foto: Associated Press
