UBT News

Marta Kos shpreh keqardhje për këngën nacionaliste serbe në Bruksel, fajëson muzikantët

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, ka shprehur keqardhjen për lëshimin e muzikës së këngës nacionaliste serbe gjatë koncertit të organizuar në prag të “Forumit të Zgjerimit” në Bruksel, duke ua lënë fajin muzikantëve për përzgjedhjen e melodisë.

Kos ka theksuar se kjo këngë nuk pasqyron në asnjë mënyrë qëndrimet e Komisionit Evropian dhe se institucionet evropiane janë të vetëdijshme për sakrificat e njerëzve në atë rajon në të kaluarën.

“Shpreh keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga ana e muzikantëve. Kjo këngë në asnjë mënyrë nuk paraqet qëndrimet e Komisionit Evropian”, ka deklaruar Kos.

Duke folur më tej për nevojën e pajtimit rajonal pa e harruar të kaluarën, komisionerja shtoi se synohet ndërtimi i një Evrope ku dallimet nuk e pengojnë zhvillimin.

“Nuk po kërkojmë të harrohen dallimet, por po ndërtojmë një Evropë ku dallimet nuk do të jenë arsye për të penguar të ardhmen”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, lidhur me vërejtjen e KOHËS se pse për të dytën herë me radhë askush nga Kosova nuk është ftuar në këtë ngjarje të rëndësishme, Kos e ka kundërshtuar këtë, duke thënë se “ky konstatim nuk është i vërtetë” dhe ka përmendur se si pjesëmarrëse është ftuar Donika Emini nga shoqëria civile. /KOHA/

Exit mobile version