UBT News

Marta Kos kërkon falje për incidentin me këngën nacionaliste serbe

Incidenti me interpretimin e melodisë së këngës nacionaliste serbe në një aktivitet të organizuar nga Komisioni Evropian në Bruksel është diskutuar edhe në Senatin e Belgjikës, ku komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, ka shprehur sërish keqardhje për atë që ndodhi.

Ajo është pyetur për këtë çështje nga senatori belg Michel De Maegd, ish-gazetar që në të kaluarën ka raportuar edhe nga Kosova.

Gjatë debatit, De Maegd ka kujtuar përvojën e tij si gazetar në Kosovë, ku tha se kishte parë nga afër pasojat e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, përfshirë pastrimin etnik, kampet e refugjatëve dhe krimet ndaj civilëve, si dhe hyrjen e forcave çlirimtare në Prishtinë dhe arritjen e shtetësisë së Kosovës.

Ai e ka cilësuar si të dëmshëm interpretimin e këngës “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit të BE-së, duke theksuar se ajo përmban pretendime territoriale serbe ndaj Kosovës.

Senatori ka kërkuar sqarime se si ishte lejuar një përzgjedhje e tillë pa miratimin e shërbimeve evropiane, duke pasur parasysh historinë e Kosovës. Ai gjithashtu ka kërkuar që institucionet evropiane të ndërmarrin hapa për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla dhe të dërgojnë një sinjal mbështetjeje për Kosovën, e cila nuk ishte e përfaqësuar në forum.

Në përgjigjen e saj, Kos ka përsëritur keqardhjen për incidentin, duke shpjeguar se Komisioni Evropian i kishte dhënë grupit muzikor udhëzime për programin, por nuk kishte miratuar individualisht secilën këngë.

“Kur është fjala për pjesën muzikore, siç e thashë, ne i dhamë grupit muzikor udhëzime se çfarë donim, por nuk e miratuam secilën këngë në mënyrë individuale. Më vjen shumë keq që ndodhi kjo, sepse Kosova e meriton gjithë mbështetjen tonë dhe do ta ketë atë mbështetje”, ka deklaruar ajo.

Komisionerja ka bërë të ditur se për këtë çështje ka biseduar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilit i ka shprehur keqardhje për atë që ndodhi.

“Unë isha në kontakt edhe me kryeministrin dhe i shpreha keqardhjen, duke thënë se kjo nuk është dashur të kishte ndodhur. Pra, Komisioni Evropian dhe unë personalisht jemi qartë të zotuar se do ta mbështesim Kosovën tutje”, ka thënë Kos.

Pavarësisht sqarimeve dhe kërkimfaljeve nga muzikanti slloven që interpretoi këngën, incidenti vazhdon të diskutohet mes diplomatëve dhe përfaqësuesve politikë evropianë./A.K/

Exit mobile version