Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës, Arian Zeka, ka thënë se marrëveshja ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar me 4 shtator në Uashington, do t’i sjellë përftime Kosovës dhe rajonit në përgjithësi.
Njëra nga pikat e marrëveshjes është edhe ajo për trafikun hekurudhor Prishtinë-Merdare dhe ajo Nish-Prishtinë.
Zeka në një prononcim për Ekonomia Online, thotë se shtrirja e trafikut hekurudhor deri në Detin Adriatik, do të ndihmojë që Kosova të shndërrohet në një nyje lidhës me shtetet e Ballkanit, por edhe për rajonin.
“Shtrirja e trafikut hekurudhor deri në një portë në Detin Adriatik, që supozojmë që do të jetë Porti i Durrësit, do të ndihmojë që Kosovë të shndërrohet në një nyje lidhëse me shtetet e Ballkanit, por edhe për rajonin më gjerë, duke bërë të përfitojë më tepër në aspektin ekonomik nga pozita qendrore gjeografike që ka në rajonin e Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Zeka.
Ai ka thënë se investimi në këto projekte strategjike infrastrukturore do të ketë efekte zingjirore në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi.
“Investimi në këto projekte strategjike infrastrukturore do të ketë efekt multiplikativ edhe në hallkat e tjera të zinxhirit ekonomik të Kosovës, por edhe të shteteve, për rreth që do të ndikojë në përshpejtimin e rritjes ekonomike të Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi”, është shprehur Zeka.
Përveç aspektit në investimet infrastrukturore, marrëveshja e 4 shtatorit, parasheh edhe sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla e të mesme.
E sipas Zekës, kjo është e rëndësishme që ndërmarrjet të kenë mundësi për qasje në financa, për të investuar edhe në projekte tjera, e të cilat nuk janë specifikuar në marrëveshje.
Ai duke përmendur mundësinë për investime në Brezovicë, ka thënë se Qeveria duhet të përgatitet mirë, që të ofrojë kompani me përvojë në menaxhimin e këtyre qendrave rekreative.
“Ajo çka është e rëndësishme në këtë aspekt është se Kosovës dhe ndërmarrjeve potenciale që dëshirojnë të investojnë në qendrën rekreative në Brezovicë ose projekte të tjera të ngjashme mund të përfitojnë nga përkrahja financiare amerikane”.
“Qeveria do duhej të përgatitej shumë më mirë për dhënien me koncesion të Brezovicës, ashtu që të mund të tërhiqte kompani serioze ndërkombëtare të cilat kanë përvojën e duhur në menaxhimin e qendrave të ngjashme rekreative, që pastaj ne të mund ta vënim këtë aset të rëndësishëm në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, është shprehur Zeka.
Ai ka thënë se frytet nga marrëveshja mund të shihen shpejtë, por kjo varet edhe nga vullneti i dy shteteve se sa shpejtë do t’i përgjigjen zotimeve të dhëna për nënshkrimin e marrëveshjes.
Zeka, ka thënë se Oda Ekonomike Amerikane ka dhënë disa ide para nënshkrimit të kësaj marrëveshje, të cilat kanë gjetur vende në marrëveshjen mes dy shteteve me ndërmjetësimin e SHBA-së, siç ishte ideja e trafikut hekurudhor ndërmjet të dyja shteteve, por edhe nevoja e një funksionalizimit të vendkalimit të përbashkët kufitarë në Merdare, e cila do të duhej të ndikonte në përshpejtimin e procedurave të kalimit kufitar dhe të zhdoganimit të mallrave duke fuqizuar edhe më tej bashkëpunimit ekonomik.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje mori pjesë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Marrëveshja u nënshkrua në prani të presidentit amerikan Donlad Trump.
Shtetet e Bashkuara u përfshin në këtë dialog më shumë, pasi më 4 tetor 2019, presidenti Trump e emëroi Richard Grenellin si të dërguarin e tij të posaçëm në këto bisedime.