UBT News

Maroku pa golashënuesin kryesor ndaj Francës në çerekfinalen e Kupës së Botës

Kombëtarja e Marokut ka marrë një goditje të madhe para përballjes së sotme ndaj Francës në çerekfinalen e Kupës së Botës.

Sulmuesi Ismael Saibari, golashënuesi më i mirë i marokenëve në këtë turne me tri gola të realizuar, nuk ka arritur të rikuperohet nga lëndimi dhe do ta humbasë ndeshjen që zhvillohet sonte nga ora 22:00 në Boston.

Saibari pësoi lëndim në ndeshjen e fazës së 1/8-tës ndaj Kanadasë. Stafi teknik i Marokut kishte shpresuar se ai do të ishte gati për sfidën vendimtare me Francën, por rikuperimi nuk ka shkuar sipas planit.

Mungesën e sulmuesit e ka konfirmuar edhe trajneri i Marokut, Mohamed Ouahbi, duke bërë të ditur se Saibari nuk do të jetë në dispozicion për këtë takim.

Mungesa e 24-vjeçarit konsiderohet një humbje e rëndësishme për Marokun, që synon kualifikimin në gjysmëfinalen e Kupës së Botës.

D.L

Exit mobile version