UBT News

Marmarinos flet për ndeshjet e nëntorit, gjasat e Kosovës, ndikimin e pandemisë dhe turneun e superkupës

Në muajin nëntor, Kosova do të luajë ndaj Sllovakisë dhe Islandës në kuadër të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2023. Këto dy ndeshje do të zhvillohen në Bratisllavë të Sllovakisë.

Përzgjedhësi i Kosovës në basketboll, Christos Marmarinos, i cili ka parë nga afër ndeshjet e Reload Superkupës, ka folur për sfidat e nëntorit.

“Do të mundohemi të kemi paraqitje sa më të mirë në çdo ndeshje. Ne e dimë se nuk do të jetë lehtë, por do të japim maksimumin”, deklaroi në fillim Marmarinos.

Marmarinos ka folur edhe për ndikimin e pandemisë.

“Pandemia ka ndikuar në mbarë globin. E kemi parë edhe NBA, por edhe në të gjithat ligat, ku rezultatet nuk kanë qenë të pritura. Ne do të japim më të mirën tonë”, është shprehur Marmarinos për faqen zyrtare të FBK-së.

Ai foli edhe për ndeshjet që i pa në Kosovë, teksa u shpreh se kishte shumë rivalitet në fushë.

“Ndeshjet ishin mjaft interesante dhe kompetetive. Kishte shumë rivalitet në fushë. Më pëlqeu një lojtar, por nuk do t’ia them emrin”, shtoi tutje përzgjedhësi i Kosovës.

Por, cilat janë gjasat e Kosovës për t’u kualifikuar në rrethin e ardhshëm.

“Ne do të hyjmë ndeshje pas ndeshje dhe nuk do të mendojmë kualifikimin tani. Do të mundohemi të japim më të mirën. Sigurisht se nuk është lehtë, pasi 7 muaj nuk ka pasur basketboll dhe kjo ndikon te lojtarët dhe tek të gjithë”, nënvizoi Marmarinos.

Kosova do të grumbullohet në Sllovaki më 23 nëntor, derisa ndeshjen me sllovakët do ta zhvillojë më 26 nëntor, kurse më 28 nëntor ballafaqohet me Islandën, takim që po ashtu zhvillohet në Sllovaki.

Në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, Dardanët do të përballen me Luksemburgun dhe Islandën.

Bordi i FIBA Evropës ka vendosur që ndeshjet e nëntorit të grupit të Kosovës të zhvillohen në Sllovaki, kurse më pas do të vendosë se ku do të zhvillohen ndeshjet e muajit shkurt të vitit 2021.

Exit mobile version