Kompania “Fenty” e këngëtares Rihanna është paditur nga një tjetër muzikante, e cila shprehet se për faj të përdorimit të gabuar të një kënge të sajën që përmban një ajet kuranor, ajo po merr kërcënime me vdekje. Kënga është luajtur gjatë një shfaqjeje mode nga Fenty Savage X, të organizuar tetorin e kaluar.
Kënga në fjalë titullohet “Doom” dhe Rihanna e ka kontaktuar autoren e saj, Coucou Chloe duke i kërkuar leje të përdorë këngën gjatë pasarelës së të brendshmeve të linjës së saj. Por, me një kusht. Ajo duhet të përdorë versionin e këngës, që nuk përmban këtë tekst të shkëputur nga libri i shenjtë. Por, Riri mesa duket nuk e mbajti fjalën.
Tashmë, artistja kërkon dëmshpërblim për prishje imazhi dhe ngarkesë të rënduar emocionale, pasi kërcënimet me vdekje i kanë shkaktuar një gjendje depresive dhe ankthi. Ajo kërkon rreth 10 milion dollarë dëmshpërblim, pasi në këtë rast nuk është prekur vetëm këngëtarja në fjalë por edhe komuniteti i praktikantëve të fesë myslimane.
Coucou Chloe ka kërkuar ndjesë për përfshirjen e këtij hadithi kuranor në këngë dhe ka paraqitur një padi në gjykatë për kompaninë Fenty, duke përdorur emrin “Jane Doe.”
Rihanna, nga ana tjetër, asokohe ka kërkuar ndjesë për përdorimin e kësaj kënge duke u shprehur se nuk ka pasur aspak qëllim që të ofendojë myslimanët dhe se ka ndodhur pa dashje. Por, mesa duket nuk qenka kështu, pasi artistja në fjalë e ka paralajmëruar që mos ta përdorë atë version të këngës, duke marrë parasysh se përdorimi i saj do të shkaktojë polemika të shumta./cityradioalbania