Franca ka ndaluar një tanker rus të naftës që po lundronte nën sanksione ndërkombëtare, në një operacion të zhvilluar në Oqeanin Atlantik me mbështetjen e disa aleatëve, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë të ditur se anija, e identifikuar si “Tagor”, ishte nisur nga Rusia dhe dyshohej se po përdorte dokumentacion dhe flamur të rremë për të anashkaluar kufizimet ndërkombëtare të vendosura ndaj Moskës.
Sipas autoriteteve franceze, marina ka hipur në bordin e anijes më shumë se 740 kilometra në perëndim të gadishullit të Brittany. Gjatë kontrollit janë konstatuar parregullsi lidhur me flamurin që mbante anija, çka ka çuar në devijimin e saj nga kursi me urdhër të prokurorisë kompetente.
Macron ka deklaruar se është e papranueshme që anije të tilla të shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe të kontribuojnë në financimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Ai ka theksuar se operacioni është zhvilluar në përputhje të plotë me ligjin detar ndërkombëtar.
Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë shtuar përpjekjet për të luftuar të ashtuquajturën “flotë në hije” të Rusisë – një rrjet tankerësh që përdoret për transportimin e naftës ruse duke shmangur sanksionet perëndimore. Pavarësisht masave të ndërmarra, dhjetëra anije të lidhura me këtë flotë vazhdojnë të qarkullojnë në ujërat evropiane.
Ky veprim konsiderohet një tjetër sinjal i forcimit të zbatimit të sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë, në përpjekje për të kufizuar burimet financiare që mbështesin luftën në Ukrainë.
