UBT News

Marc van Bommel emërohet përzgjedhës i Belgjikës

Federata e Futbollit e Belgjikës ka zyrtarizuar emërimin e Marc van Bommelit në postin e përzgjedhësit të ri të kombëtares.

Ish-mesfushori i njohur holandez ka nënshkruar kontratë që do ta mbajë në krye të Belgjikës deri në përfundim të Kampionatit Evropian 2028.

Van Bommel vjen në këtë detyrë me përvojë si trajner i PSV Eindhovenit, Wolfsburgut dhe Antwerpit. Suksesin më të madh në karrierën e tij si trajner e arriti me Antwerpin, me të cilin fitoi titullin kampion dhe Kupën e Belgjikës në sezonin 2022/23.

Si futbollist, 48-vjeçari ndërtoi një karrierë të pasur duke veshur fanellat e PSV Eindhovenit, Barcelonës, Bayern Munichut dhe Milanit. Ai zhvilloi gjithsej 79 ndeshje me kombëtaren e Holandës dhe ishte pjesë e ekipit që arriti në finalen e Kupës së Botës 2010.

Pas emërimit, Van Bommel tha se synimi i tij është të ndërtojë një ekip konkurrues që mund të rivalizojë me kombëtaret më të forta.

“Synimi është të ndërtojmë disiplinë dhe guxim që të mund të konkurrojmë me përfaqësueset më të forta si të barabartë. Nuk ka garanci për sukses, por mund t’u premtoj përkushtim maksimal, punë të ndershme dhe dëshirë të madhe për përparim”, u shpreh Van Bommel.

Me këtë emërim, Belgjika synon të hapë një kapitull të ri dhe të rikthehet në garën për sukses në arenën ndërkombëtare nën drejtimin e trajnerit holandez.

D.L

Exit mobile version