Një sfidë që ka shkruar në anale edhe emrin e gjyqtarit që drejtoi ndeshjen dhe nuk e pa “Dorën e Zotit”. Ali Bennaceur tani është 77 vjeç, jeton në Tunizi dhe e kujtoi atë moment që mbeti në histori përmes një interviste me “Clarin”: “E kam parë atë ndeshje shumë herë. Në Meksikë ishim 42 gjyqtarë dhe nuk kishte arbitra linje, sepse nuk kishte ende ndonjë specializim për këtë. Ndihmësi im, Bogdan Dochev, më dha ‘ok’ dhe unë konfirmova golin”.
Ai rast shënoi gjithashtu fillimin e miqësisë së tij të gjatë me Maradonën: “Diego ishte më i miri që kam parë ndonjëherë. Tani të gjithë flasin për Ronaldon dhe Messin… Të dy ata kanë merita, por Maradona i kishte të gjitha”. Vetë Diego vizitoi Tunizinë më 2015 dhe i dërgoi dy fanella të ekipit kombëtar arbitrit të “Dorës së Zotit”. Njërën me dedikim “për Aliun, mikun tim të përjetshëm”, dhe tjetrën që veshi në ndeshjen kundër anglezëve. “Ai ishte i uritur për lavdi dhe jepte më të mirën për vendin e tij. Kjo e bëri atë të kapërcejë rolin si futbollist dhe të transformohet në një qenie njerëzore të jashtëzakonshme”, – kujton ish-gjyqtari tunizian.
Sidoqoftë, deklaratat e Bennaceur ngrenë një dyshim. Ish-mesfushori i Anglisë, Steve Hodge, kishte thënë kohë më parë se e njëjta fanellë i përkiste atij. Anglezi 58-vjeçar e kishte marrë atë duke e shkëmbyer me Maradonën në tunel, në fund të asaj ndeshjeje historike. Kjo relike tani është e ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Futbollit në Manchester dhe sipas vlerësimeve të ekspertëve, vlera e saj mund të jetë rreth dy milionë euro. Atëherë, ku ndodhet fanella e vërtetë ikonike e “10”, që e kishte veshur atë ditë, kur shënoi golin e shekullit, me dorë?