UBT News

Maqedonia e Veriut, Skocia, Sllovakia dhe Hungaria në Euro 2020

Maqedonia e Veriut, Skocia, Sllovakia dhe Hungaria kanë fituar biletat e fundit për kualifikimin në Euro 2020. Euro 2020 që do të mbahet vitin e ardhshëm, tani më ka kompletuar 24 skuadrat që do të jenë pjesëmarrëse në Evropianin e vitit të ardhshëm.

Maqedonia e Veriut mbrëmë ka bërë historinë duke shënuar një fitore minimale, por më të rëndësishmen në historinë e saj, kështu duke u bërë kombëtarja e parë që kualifikohet në kampionatin evropian përmes Ligës së Kombeve. Veterani Goran Pandev ka shënuar golin e vetëm në këtë takim që i dha Maqedonisë së Veriut biletën e parë në histori të saj për një kompeticion kaq të madh.

Hungaria nga ana tjetër ka bërë një përmbysje të madhe ndaj Islandës, duke e befasuar në minutat e fundit. Goli i Siggurdson nuk i mjaftoi Islandës që të marrë kualifikimin për në Evropianin e vitit të ardhshëm. Nego barazoi në minutën e 88-të, teksa çmenduria ndodhi në minutën e 92, kur e gjithë pankina e Hungarisë u ngrit në këmbë pas golit të Szoboszlai. Hungarezët i pret grupi i vdekjes, me ish-kampionin e botës Gjermaninë, kampionin e Evropës Portugalinë dhe kampionin e botës Francën.

Skocia e ka mposhtur Serbinë, duke ia mohuar Serbisë kualifikimin në Evropian. Skocia fitoi pas 120 minutave ndaj Serbisë, ku përmes penaltive fitoi pas dështimit të Mitrovic për të shënuar. 1-1 u mbyll koha e rregullt, me golat e Christie në minutën e 52 dhe sulmuesit të Real Madridit, Luka Jovic.

Sllovakia ka arritur që me rezultat të ngushtë ta mposhtë Irlandën Veriore në udhëtim falë golave të Kucka dhe Duris që shënuan për t’i dhënë biletën Sllovakisë për në kampionatin Evropian. Lojtarët vendas nuk arritën të shënonin, por këtë e bëri Skriniar që shënoi autogol në portën e tij, çka edhe e ndihmoi Irlandën e Veriut ta dërgojë ndeshjen në vazhdime, ku më pas triumfuan sllovakët./UBTNews

Exit mobile version