As temperaturat e larta të motit e as vaksinat anti COVID nuk ishin të mjaftueshme për të parandaluar një valë të re të pandemisë në Maqedoni të Veriut. Megjithëse pritej të vinte në tetor, vala e katër mori hov në fillim të gushtit.
Për krahasim si sot një vit më parë, kur ende nuk kanë qenë të zbuluara vaksinat anti-kovid ka pasur vetëm 139 raste të reja, kurse për të gjithë muajin gusht kishte më tepër të shëruar se sa të prekur.
Në katër javët e fundit shohim një rritje rapide të të prekurve ku nga 15 të infektuar u bënë 588 dhe nga asnjë të vdekur në bazë ditore tani ka nga 8 pacientë që ndërruan jetë dhe spitalet po mbushen shpejtë.
Instituti i Shëndetit Publik
21 korrik: 2.550 teste – 15 të infektuar – 6 të shëruar – 0 të vdekur
28 korrik: 3.593 teste – 47 të infektuar – 14 të shëruar – 0 të vdekur
04 kusht: 5.276 teste – 164 të infektuar – 18 të shëruar – 3 të vdekur
11 kusht: 5.780 teste – 588 të infektuar – 26 të shëruar – 8 të vdekur
Për të pasur efikasitet imunizimi i popullsisë ndaj një pandemie agresive siç është CoVid19, vaksinimi masiv i popullsisë është dashur të bëhet në periudhë shumë të shkurtër.
Kështu tha epidemiologu Aleksandar Stojakov, duke kritikuar autoritetet se kjo valë e katër që posa fillon nuk do të ndodhte në pike të verës nëse i gjithë vaksinimi do bëhej gjatë pranverës. Ish-kreu i QSHP tani në pension tha se vjet kur ishin të ndaluara plotësisht eventet janë mbajtur ilegalisht mbi 440 dasma, ndërsa sivjet ky numër i madh i ahengjeve familjare do të qoj në derexhe apokaliptike situatën epidemiologjike në vend.
“Këtu definitivisht është parë leverdia ekonomike prandaj tani e paguajmë koston e lartë. Por e paguajnë njerëzit që nuk duhej ta paguajnë. Punonjësit shëndetësor nuk mund të shohin asnjë ditë të bardhë. Edhe ata janë në rrezik ta bartin virusin në shtëpitë e tyre edhe ata kanë familje. Nuk janë vetëm paratë! Nuk është në pyetje vetëm qejfi, edhe shëndeti publik duhet të ruhet. Asgjë nuk e respektua dhe për fat të keq do të kemi valë të katër sepse u zvarrit procesi i vaksinimit.”- deklaroi Aleksandar Stojanov, Epidemiolog.
Sipas shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë vaksinimi ka kaluar 1 milionëshin me një dozë, por realisht të imunizuar komplet janë më pak se gjysmë milioni i qytetarëve apo ¼ e popullsisë në vend. Në katër ditët e fundit është dyfishuar numri i të interesuarve për vaksinim prej kurse u mor vendimi se që nga e hëna e 16 gushtit do të ketë masa kufizuese për të pa vaksinuarit.
Në pikat e vaksinimit si dhe në terren në të gjithë shtetin gjatë ditës së djeshme dozën e parë e kanë marrë 8,914 qytetarë, kurse gjatë 24 orëve të fundit gjithsej u aplikuan 16,020 vaksina. Në total prej fillimit të imunizimit anti-kovid janë dhënë 1.016.700 vaksina, prej tyre 454,788 janë me re vaksina.”
Por sa të mbrojtur jemi si komunitet në nisjen e valës së re të pandemisë kur shifrat kanë prej ditësh tregojnë të infektuar mbi 10% e të testuarve?! Të dhënat zyrtare tregojnë se kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve si të moshuarit, të sëmurët kronik dhe të punësuarit nëpër institucionet vitale të shtetit nuk janë plotësisht të imunizuar. Vetëm 66% e të moshuarve mbi 70 vjeç kanë marrë nga një dozë, ndërsa mezi arriti 50% i të vaksinuarve mbi moshën 50 vjeçe./Alsat/