UBT News

Maqedoni: Ndotja e ajrit, të sëmurët dhe gratë shtatëzënat me orare të shkurtuara pune

Për të tretën ditë me radhë, qyteti i Kërçovës po përballet me nivele alarmante ndotjeje të ajrit, duke kaluar pragun e alarmit për grimcat suspenduese, që arrin 150 mg/m3. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka njoftuar se janë marrë masa të reja për të kufizuar pasojat e ndotjes në shëndetin e qytetarëve.

Masat përfshijnë orë më të shkurtra pune për personat që vuajnë nga sëmundje kronike dhe gratë shtatzëna, ndërsa puna në ambiente të jashtme rekomandohet të kryhet vetëm nga ora 11:00 deri në orën 17:00, për të shmangur ekspozimin ndaj ajrit të ndotur gjatë pjesës më të keqe të ditës.

Ministria e Mjedisit ka theksuar se për të kontrolluar situatën e krijuar, janë intensifikuar kontrollet teknike të makinave, veçanërisht atyre me naftë dhe automjeteve të pa regjistruara. Po ashtu, janë forcuar kontrollet në kantieret e ndërtimit dhe është ndaluar djegia e materialeve në natyrë, e cila ndikon direkt në ndotjen e ajrit.

Për më tepër, rekomandohet që subjektet juridike të lirojnë nga puna gratë shtatzëna, personat mbi 60 vjeç dhe ata që vuajnë nga astma kronike dhe probleme të tjera shëndetësore. Kërçova është aktualisht qyteti më i ndotur në Maqedoninë e Veriut, ndërsa Shkupi, kryeqyteti i vendit, është renditur i 16-ti në botë për ajër të ndotur, sipas IQAir, duke pasur gjithashtu nivele të larta ndotjeje që ndikon në cilësinë e jetës.

Kjo situatë alarmante tregon se nevojitet një ndërhyrje më e fuqishme dhe një angazhim afatgjatë për të përmirësuar cilësinë e ajrit dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve nga pasojat e ndotjes së ajrit./UBTNews/

 

Exit mobile version