Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se deri më tani në vend kundër llojit të ri të koronavirusit (COVID-19) janë aplikuar mbi 800 mijë doza të vaksinës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit të ministrisë, vaksinimi po zhvillohet normalisht në të gjitha pikat në mbarë vendin ndërsa në rrjedhë është edhe vaksinimi në terren.
“Në pikat e vaksinimit në shtet dhe në terren, deri dje janë vaksinuar 461.268 qytetarë. Dozën e parë të vaksinës dje e kanë marrë 6.385 qytetarë ndërsa dje gjithsej janë vaksinuar 19.274 qytetarë. Në shtet gjithsej janë aplikuar 800.168 doza të vaksinave ndërsa janë rivaksinuar 318.900 qytetarë”, thuhet në njoftim.
“Në shifrat e fundit 62 për qind e popullatës mbi 70 vjeç kanë pranuar të paktën një dozë të vaksinës, 59 për qind e popullatës mbi 65 vjeç është vaksinuar me së paku një dozë të vaksinës, 54 për qind e popullatës mbi 60 vjeç është vaksinuar me të paktën një dozë të vaksinës dhe 44 për qind e popullatës mbi 50 vjeç është vaksinuar me të paktën një dozë të vaksinës”, thuhet më tej.
Theksohet se qytetarët pa termin të caktuar janë vaksinuar në pikat ekzistuese të vaksinimit në vend.
Sipas njoftimit, procesi i vaksinimit në terren po zhvillohet në territorin e mbarë shtetit, me rrotacione të ekipeve mjekësore në çdo fshat, vend rural, lagje.
Ministria e Shëndetësisë apelon qytetarët që të kyçen në vaksinimin masiv duke theksuar se është e vetmja mënyrë që të arrihet sukses në luftën kundër COVID-19.