UBT News

Maqedonci: UÇK hyri në Prishtinë dy ditë para NATO-s për të parandaluar masakrat serbe

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka zbuluar detaje të panjohura nga ditët e çlirimit në Podcastin e Media Grupit të UBT-së. Ai tregoi se më 10 Qershor 1999, një pjesë e njësive të UÇK-së nga Zona Operative e Llapit morën urdhër të futeshin urgjentisht në kryeqytet. Ky mision synonte mbrojtjen e popullatës civile nga trupat serbe para tërheqjes së tyre.

Sipas ministrit, informacionet e kohës tregonin se forcat serbe në largim e sipër do të tentonin të bënin masakra të tjera dhe të plaçkitnin shtëpitë e shqiptarëve. Pjesë e këtij operacioni të rrezikshëm ishte edhe vetë Maqedonci. Ai kujton se ngritën flamujt në dy pika strategjike, në Kodrën e Trimave për të dhënë shenjën se UÇK-ja ishte në Prishtinë.

“Kemi ngritur flamujt si shenjë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës është në Prishtinë. Ishim në uniforma dhe kishim vendosur pozicionet tona në mënyrë që të mos lejohej ndonjë masakër”, kujton ministri emocionet e asaj dite.

Gjatë intervistës, Maqedonci foli edhe për rrugëtimin e tij personal si 20 vjeçar, i cili nisi në vitin 1998, kur i’u bashkua UÇK-së nga Zvicra. Ai tregoi se stërvitjen teorike ushtarake në Shqipëri e kishte marrë nga Heroi i Kombit, Agim Ramadani. Pas një marshimi të vështirë 12-orësh nëpër borën e maleve të Pashtrikut, ai depërtoi në Kosovë për t’u angazhuar në zona të ndryshme operative.

“Ëndrra ime e parë ishte vetëm të kaloja kufirin, të prekja tokën e Kosovës, dhe çfarëdo që të ndodhte më pas nuk kishte rëndësi”, u shpreh Maqedonci për fillimet e tij në luftë.

Sot, si Ministër i Mbrojtjes, ai thotë se pasqyrimi i FSK-së është përmbushje e ëndrrës së dëshmorëve. Ai vuri në dukje investimet e mëdha prej 460 milionë eurosh në armatim gjatë katër viteve të fundit. Për Maqedoncin, modernizimi i ushtrisë sipas standardeve të NATO-s është garancia kryesore për të ruajtur paqen në vend.

“Kur përgatitesh për luftë, në fakt përgatitesh për ta shmangur luftën, sepse forca e dekurajon kundërshtarin”, potencoi në fund ministri Maqedonci. /E.A/

Exit mobile version