UBT News

Maqedonci takon gjeneralmajorin Nawrat në Berlin: Diskutohet Plani Katërvjeçar i Mbrojtjes dhe anëtarësimi në A5

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim dypalësh me zëvendëskomandantin për Integrim në Komandën e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF), gjeneralmajor Christian Nawrat, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Berlin (BSC).

Gjatë këtij takimi, ministri Maqedonci prezantoi prioritetet strategjike të dikasterit që drejton, me fokus të veçantë në zbatimin e planit strategjik katërvjeçar, zhvillimin e napërtëm të sistemit të mbrojtjes gjithëpërfshirëse, si dhe nismën e re ligjore që synon krijimin e Zonës së Industrisë për Mbrojtje në Kosovë.

Një vend të rëndësishëm në bisedime zuri edhe angazhimi i Kosovës për anëtarësim me të drejta të plota në Kartën e Adriatikut (A5), hap ky që vlerësohet kyç për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtimin e integrimit euroatlantik në fushën e sigurisë.

Ministri Maqedonci nënvizoi se bashkëpunimi i ngushtë dhe koordinimi i vazhdueshëm me partnerët strategjikë, veçanërisht me SHBA-në, mbetet shtylla kryesore për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon. /E.A/

Exit mobile version