UBT News

Maqedonci: Serbia mbetet rreziku kryesor, AKI-ja ia goditi rrjetin e spiunazhit

Kosova vazhdon të përballet me rreziqe serioze, ku kërcënimi kryesor ushtarak mbetet Serbia. Kështu deklaroi Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në Podcastin e Media Grupit të UBT-së. Ai sqaroi se ky rrezik vjen nga politika hegjemoniste e Beogradit dhe armatosja e saj e shpejtë me sisteme të rrezikshme nga Rusia dhe Kina.

Ministri vuri në dukje se ushtria është gjithmonë zbatuese e politikave shtetërore. Për sa kohë që Serbia synon të dominojë rajonin dhe refuzon integrimin euroatlantik, ajo përbën kërcënim për të gjithë fqinjët. Megjithatë, Maqedonci siguroi se institucionet e Kosovës janë plotësisht të gatshme për t’u përgjigjur.

“Kërcënimi i vetëm i madh konvencional mbetet Serbia. Rreziku dhe kërcënimi për Kosovën qëndron pikërisht në faktin që Serbia nuk e ka ndryshuar politikën hegjemoniste në raport jo vetëm me Kosovën, por edhe me të tjerët në Ballkan”, tha Maqedonci.

Për të përballuar luftën hibride, Kosova ka zhvilluar kapacitete të larta profesionale. Ministri përmendi sukseset e fundit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) dhe Policisë së Kosovës. Ai mori si shembull parandalimin e akteve të sabotazhit dhe reagimin e shpejtë ndaj grupeve terroriste në rastet si Banjska apo sulmi në Ibër-Lepenc.

“Kemi qenë dëshmitarë të goditjes së rrjetit të spiunazhit serb në Kosovë. Spiunazhi është element kyç i luftës hibride. Kanë dashur të destabilizojnë vendin dhe të përlyejnë historinë e UÇK-së”, potencoi ministri.

Në fund, Maqedonci u shpreh se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) sot është krejt ndryshe nga ditët e çlirimit. Ajo po fuqizohet me armatime moderne dhe po trajnohet sipas standardeve më të larta të NATO-s. Sipas tij, një ushtri e fortë është garancia më e mirë, pasi forca e dekurajon gjithmonë kundërshtarin dhe shmang luftën.

“Kemi një ushtri që është shembull për gjithë rajonin. Ajo vlerësohet nga të gjitha vendet e NATO-s si ushtri shumë profesionale”, përfundoi Ministri i Mbrojtjes. /E.A/

Exit mobile version