UBT News

Maqedonci nga Kroacia: FSK dëshmoi profesionalizëm të lartë në stërvitjen ndërkombëtare “Combat Power 26”

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në Ditën e Vizitorëve të Shquar në kuadër të stërvitjes së madhe ndërkombëtare “Combat Power 26”, e cila u zhvillua në Slunj të Kroacisë. Ky aktivitet 11-ditor bëri bashkë mbi 3,000 ushtarakë nga vendi mikpritës dhe qindra pjesëtarë nga vendet aleate e partnere, përfshirë SHBA-në, Italinë, Shqipërinë e Slloveninë.

Në këtë stërvitje, Republika e Kosovës u përfaqësua nga një kontingjent prej 45 ushtarakësh të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të organizuar në një tog luftarak të këmbësorisë dhe elemente të mbështetjes logjistike. Ministri Maqedonci u shpreh i ndjerë mjaft krenar me performancën e ushtarëve kosovarë, duke theksuar se ata dëshmuan disiplinë të lartë në terrene sfiduese dhe konfirmuan se FSK zotëron kapacitetet e plota për të operuar krah për krah me ushtritë e NATO-s.

Si një pikë të veçantë të progresit, ministri veçoi avancimin në fushën e qëndrueshmërisë logjistike, specifikisht në shërbimet e ushqimit. Ai bëri të ditur se nga varësia prej operatorëve privatë që ishte para një viti, FSK sot ka ndërtuar kapacitete të plota organike, sa që kuzhinierët ushtarakë kosovarë ofruan mbështetje ushqimore edhe për forcat partnere gjatë këtij ushtrimi.

Në fund, Maqedonci rikonfirmoi se bashkëpunimi strategjik me Kroacinë është i ndërtuar mbi një miqësi të sinqertë mes dy popujve. Ai porositi se Kosova po forcon çdo ditë kapacitetet e saj mbrojtëse dhe mbetet një partner i besueshëm që kontribuon me përgjegjësi për sigurinë dhe paqen në rajon e më gjerë. /E.A/

 

Exit mobile version