UBT News

Maqedonci në Podcastin e UBT-së: 12 Qershori përmbylli një shekull dhunë dhe gjenocid

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ishte i ftuar në Podcastin e Media Grupit të UBT-së. Në këtë bisedë, ai reflektoi mbi rrugëtimin e Kosovës nga lufta për mbijetesë e deri te ndërtimi i shtetit. Sipas tij, 12 Qershori shënon ditën kur Kosova mori frymë lirshem. Nga një popull që dikur kërkonte ndihmë për të mbijetuar, sot Kosova ka ndërtuar institucionet e veta dhe një ushtri moderne si FSK-ja.

I pyetur për peshën e kësaj date, Maqedonci theksoi se 12 Qershori përfaqëson realizimin e një ëndrre të madhe mbarëpopullore. Ky moment shënoi fundin e një periudhe të gjatë dhe të errët të vuajtjeve nën pushtuesin serb.

“Janë 100 vite deri në vitin 1999, kur u çlirua Kosova më 12 Qershor, kur populli ynë me të vërtetë ka përjetuar vetëm dhunë, ka përjetuar vetëm diskriminim dhe asnjëherë mundësi për të jetuar as të barabartë, e lëre më të lirë”, deklaroi Maqedonci për UBT News.

Ministri bëri edhe një ndërlidhje historike me vitin 1912. Ai sqaroi se që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, Kosova mbeti jashtë dhe u përball me tentativat serbe për zhdukjen e popullit tonë. Për këtë arsye, ai kërkoi që kjo datë të vlerësohet lart nga të gjithë shqiptarët.

“Vlerësoj që 12 Qershori është ndër datat më të rëndësishme në historinë tonë, jo vetëm në historinë e Kosovës, por në historinë tonë kombëtare”, potencoi ministri.

Maqedonci rikujtoi se kjo liri nuk erdhi vetvetiu. Ajo erdhi si rezultat i një sakrifice shumëvjeçare të brezave të tërë. Ky rrugëtim u bë i mundshëm falë organizimeve nga ideali i përbashkët për liri, protestave, kryengritjeve dhe, mbi të gjitha, luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). /E.A/

Exit mobile version