UBT News

Maqedonci me Përfaqësuesin e SHBA-së në NATO: Diskutohet blerja e helikopterëve “Black Hawk” dhe kontributi i FSK-së në Gaza

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim me Ambasadorin Matthew Whitaker, Përfaqësuesin e Përhershëm të SHBA-së në NATO, me të cilin ka diskutuar për thellimin e partneritetit strategjik në fushën e mbrojtjes dhe integrimin e Kosovës në aleancën euroatlantike.

Sipas njoftimit të ministrit Maqedonci, ambasadori Whitaker ka konfirmuar mbështetjen e SHBA-së për rrugëtimin e Kosovës drejt NATO-s dhe avancimin e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Gjatë takimit u theksuan pikat kryesore të bashkëpunimit.

Blerjet ushtarake dhe industria e mbrojtjes: U diskutua për procedurat e nisura për blerjen e helikopterëve “Black Hawk”, furnizimin me sisteme ushtarake nga SHBA-ja, si dhe zhvillimin e industrisë vendore të mbrojtjes në Kosovë.

Partneriteti me Iowa-n: U vlerësua bashkëpunimi më se 15-vjeçar me Gardën Kombëtare të Iowa-s përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta.

Misionet ndërkombëtare dhe KFOR-i: Maqedonci shprehu gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar me trupa në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, si dhe diskutoi për bashkëpunimin me NATO-n lidhur me praninë e KFOR-it, optimizimin e hapësirës ajrore dhe shfrytëzimin e mundshëm të Kampit Bondsteel e Aeroportit të Gjakovës.

Ministri Maqedonci i ka dërguar ftesë zyrtare ambasadorit Whitaker për të vizituar Kosovën, duke ritheksuar se partneriteti me SHBA-në mbetet thelbësor për të ardhmen euroatlantike të vendit. /E.A/

 

 

 

 

 

Exit mobile version