UBT News

Maqedonci: Bazat ushtarake serbe në kufi po kërcënojnë sigurinë e rajonit

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Serbia ka vendosur 48 baza ushtarake dhe të xhandarmërisë përgjatë vijës kufitare me Kosovën. Në një intervistë për televizionin polak TVP World, Maqedonci e ka krahasuar këtë pozicionim të forcave serbe me hapat që ndërmori Rusia përpara aneksimit të territorit ukrainas.

Përveç pranisë ushtarake, ministri theksoi se Beograd zyrtar po mbështet edhe grupe kriminale brenda Kosovës, të cilat merren me kontrabandë dhe aktivitete të tjera me synim destabilizimin e vendit. Sipas tij, këto veprime hibride dhe pozicionimi ushtarak përbëjnë një kërcënim serioz jo vetëm për sigurinë e Kosovës, por edhe për stabilitetin e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Maqedonci nënvizoi se institucionet e Kosovës po i ndjekin me shqetësim të madh këto zhvillime, duke vlerësuar se përmes këtyre tensioneve Serbia kërkon të paraqitet si faktor i rëndësishëm gjeopolitike dhe të ndjekë synimet e saj hegjemoniste në rajon. /E.A/

Exit mobile version