Një javë ultimatum i është dhënë Qeverisë së Kosovës që të reflektojë dhe t’i thërras në takim Federatën Sindikale të Shëndetësisë (FSSHK), në të kundërtën ata sërish do të vazhdojnë me grevën.
Kështu tha kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), Blerim Syla, i cili në konferencën për medie ka treguar se greva e stafit shëndetësorë këtë të enjte ka shkuar pa ndonjë incident.
Syla kërkon nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që të ulen dhe të dialogojnë për Ligjin për Pagat dhe në këtë mënyrë t’iu kthehet siç thotë ai dinjiteti i mantilbardhëve.
“Le të jetë ky mesazhi i fundit për qeverinë Kurti dhe gjithë akterët tjerë, të ulemi të bisedojmë mos na ndani prej pacientëve, prej popullit, ju lutemi mos na shtini të bëjmë gjeste të tilla që ne nuk po i dëshirojmë, por nëse ju keni vendosur që të keni trazira sociale është çështje e jua. Ne do ta ruajmë shtetin tonë që është i ndërtuar me mund e gjak. Nuk ka asnjë politikë në këtë vend[..]3’52 Zoti kryeministër të lutem dhe përgjërohem mos na detyroni me i zhvesh këta mantila në vazhdimësi, lërna të punojmë, lërna t’i shërojmë ata pacientë, kthena neve dinjitetin. Nuk ju kushton asgjë të takohemi, edhe ne jemi votuesit tuaj”, tha Syla.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj i cili doli për ta mbështetur grevën e punëtorëve shëndetësorë kërkoi nga Kurti që të mos injorohen në të kundërtën do të ketë protesta dhe greva.
“Uroj që kjo grevë të jetë e fundit dhe veprimi i fundit sindikal dhe qeveria ta kuptojë këtë alarm dhe mesazh tuajin shumë të drejtë dhe të ulemi dhe të bisedojmë dhe të arrijmë zgjedhje sepse ligji për pagat është ligj jetësor, i lidhur me ne, kemi bërë shumë angazhime, kemi pas shumë pritje por kemi pas edhe shumë zhgënjime të cilat duhet t’i tejkalojmë dhe uroj që nga sot të ulemi me qeverinë mos të na injoroj sepse në të kundërtën do të kemi edhe protesta dhe greva të cilat dihet kur fillojnë por nuk e dimë kur përfundojnë”, u shpreh Jasharaj.
Dialog me qeverinë po kërkon edhe kryetari i BSPK-së Atdhe Hykolli.
“Ligji i pagave është shumë i rëndësishëm sidomos për neve si sindikata sepse e rregullon pagën e punëtoreve e që për këtë arsye jemi këtu. Po besoj që qeveria shpejt ka me thirre dhe do të ulemi, do të bisedojmë dhe do të ecim përpara”, tha Hykolli.
Greva ka përfunduar sot, ndërsa deri të enjten e ardhshme FSShK do të presë që Qeveria t’i ftojë në takim.