Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi ka pritur sot në një takim gjeneratën e artë të futbollistëve kosovarë, të cilët kanë kontribuar për futbollin tonë veçanërisht në periudhën e ish-Jugosllavisë.
Gjenerata e artë e futbollistëve kosovarë shfrytëzoi rastin që ta falënderojë presidentin Ademi për punën që e ka bërë deri tani, duke e transformuar futbollin kosovar dhe duke ndikuar në zhvillimin e shpejtë të sportit më masiv në vend, me krijimin e kampeve me kushte tejet komode.
Ajet Shosholli e përgëzoi Ademin për punën e vazhdueshme të mirë dhe për respektin që e tregon ndaj kësaj gjenerata, kurse kapiteni i tyre i parë Ramadan Cimili e falënderoi për respektin që u bënë duke u këshilluar me ta dhe duke ua mundësuar të jenë afër futbollit dhe të kenë përgjegjësi pavarësisht moshës së shtyrë.
Erdogan Celina në fjalimin e tij tha se është i lumtur që edhe këto ditë vazhdon të jetë pjesë e futbollit, i cili po zhvillohet shpejt dhe drejt falë udhëheqjes së mirë nga presidenti Ademi, ndërkaq Edmond Rugova shfrytëzoi rastin që të tregojë se Ademi është i vetmi që asnjëherë nuk i la të ndihen të neglizhuar.
Përkrahje presidentit të FFK-së i dha edhe Abdyl Bellopoja, i cili u shpreh i lumtur që Ademi është i gatshëm të vazhdojë edhe për një mandat tjetër në krye të FFK-së, duke e konsideruar si personin më adekuat për të drejtuar shtëpinë e futbollit.
Në anën tjetër, Muharrem Sahiti dënoi ashpër shpifjet që disa persona po i bëjnë me qëllim të njollosjes së imazhit të Ademit, duke pohuar se të njëjtit flasin pavend dhe pa prova. Ai po ashtu tha se puna e pastër e presidentit Ademi vërtetohet edhe me marrëdhëniet që ai ka krijuar me drejtuesit e FIFA-s dhe UEFA-s, Gianni Infantino dhe Aleksandër Çeferin.