Pas debutimit me fitore të madhe ndaj Turqisë, Kombëtarja e Italisë do të përballet me Zvicrën në raundin e dytë të ndeshjeve në grupe.
Trajneri Mancini, në konferencën për shtyp para sfidës me Zvicrën ka thënë se e respektojnë shumë këtë kombëtare.
“Është një ndeshje e rëndësishme dhe e vështirë, ne e respektojmë Zvicrën, e cila është një ekip kombëtar shumë i fortë që gjithmonë e ka vënë Italinë në vështirësi”.
“Ka lojtarë të mirë dhe me përvojë dhe një trajner që e njeh futbollin tonë. Do të na duhet të zhvillojmë një ndeshje të shkëlqyer”, ka thënë fillimisht Mancini.
Pas debutimit pozitiv kundër Turqisë, Italia konsiderohet favorite edhe kundër Zvicrës.
“Nëse e thonë bastoret angleze, e pranojmë, por turneu është akoma i gjatë. Ata vuajtën në ndeshjen e parë, por ishte nxehtë, ne i njohim cilësitë e tyre, janë teknikë dhe dinë të luajnë futboll. Do të na duhet të zhvillojmë një ndeshje perfekte”, nënvizoi ai.
Dyshimet sa i përket formacionit janë, pak a shumë, të njëjtat, duke filluar nga roli i qendërsulmuesit, me Ciro Immobilen që mbetet favorit para Andrea Belottit.
“Të gjithë lojtarët tanë janë titullarë, edhe kur bëjmë ndonjë ndryshim është çdo gjë “ok”. Falë djemve, kushdo që do të zbresë në fushë, nuk do ta ndryshonte rezultatin”, përfundoi Mancini.