Roberto Mancini thotë se Italia nuk ka nevojë për një rinovim rrënjësor të skuadrës së saj pas humbjes nga Anglia në kualifikueset për Euro 2024.
Ai ka thënë se janë lojtarët me përvojë në këtë kombëtare që duhet të japin më shumë për t’i ndihmuar të tjerët.
Duke folur fillimisht për ndeshjen, Mancini tha se dy golat e pësuara ishin lehtësisht të shmangshëm.
“Pësuam dy gola që ishin plotësisht të shmangshëm, duhet të jemi më të përqendruar në ndeshjet vendimtare, veçanërisht pasi Anglia është e mirë në ajër. Ne dominuam absolutisht në pjesën e dytë, ndërsa pjesa e parë ishte më e ekuilibruar dhe patëm vështirësi të ndërtonim aksione. Ata gjithmonë gjenin një rrugëdalje. Megjithatë, pas pushimit vendosëm të bëjmë diçka ndryshe dhe kjo ishte më mirë”, tha Mancini.
Trajneri u akuzua se u besoi shumë lojtarëve që fituan Euro 2020, siç është Jorginho, dhe se nuk kishte sjellë fytyra të freskëta në ekip.
“Lojtarët tanë janë ende të vlefshëm, ata nuk janë në fund të karrierës së tyre. Ata nuk janë 36-37 vjeç, kjo është një lojë e nivelit të lartë dhe ne kishim nevojë për lojtarë që ishin mësuar me këtë lloj situate. Ata ende mund të na japin shumë”, tha në fund Mancini.