Manchester United është duke përgatitur një fund të afatit kalimtar veror me lëvizje të mëdha në tregun e transferimeve. Sipas raportimeve të “Times Sport”, klubi nga Old Trafford synon të largojë disa futbollistë që nuk kanë arritur të përmbushin pritshmëritë e stafit teknik dhe drejtuesve të klubit.
Në listën e lojtarëve që mund të largohen figurojnë emra të njohur si Alejandro Garnacho, Antony, Jadon Sancho, Tyrell Malacia dhe Rasmus Hojlund. Shitja e tyre do t’i hapte rrugë përforcimeve të reja dhe do të ndihmonte në balancimin financiar të klubit, në përputhje me rregullat e Fair Play Financiar.
Sipas burimit të njëjtë, drejtuesit e United janë të vendosur të nisin një rindërtim të skuadrës. Garnacho dhe Sancho, që më parë konsideroheshin pjesë e së ardhmes së klubit, tani shihen si mundësi për të gjeneruar të ardhura nga shitjet.
Në rastin e Antonyt, investimi i madh i klubit nuk ka rezultuar me paraqitje bindëse, ndërsa Tyrell Malacia dhe Rasmus Hojlund nuk kanë arritur të tregojnë vazhdimësi apo nivelin e kërkuar në Premier League.
Ky plan ka nxitur reagime të ndryshme mes tifozëve, sidomos për shkak të moshës së re dhe potencialit të disa prej lojtarëve të përmendur. Megjithatë, bordi drejtues duket i vendosur për të ndërmarrë hapa të mëdhenj në funksion të rikthimit të klubit në majat e futbollit anglez dhe evropian.
Në ditët në vijim priten zhvillime konkrete sa i përket ofertave dhe negociatave për këta lojtarë, me Unitedin që synon ta përmbyllë merkaton me një skuadër të rifreskuar dhe më konkurruese.