UBT News

Manchester City transferon supertalentin 18-vjeçar për 100 milionë euro

Manchester City ka bërë një tjetër goditje të madhe në merkato, duke zyrtarizuar transferimin e supertalentit 18-vjeçar, Ayyoub Bouaddi.

Mesfushori maroken është larguar nga Lille dhe i është bashkuar kampionëve anglezë, në një transferim që, sipas raportimeve, kap shifrën e 100 milionë eurove. Bouaddi ka firmosur kontratë pesëvjeçare me Manchester Cityn.

Pavarësisht moshës së re, Bouaddi tashmë ka krijuar një përvojë të konsiderueshme në futbollin elitar. Ai ka regjistruar 96 paraqitje me fanellën e Lille dhe tetë paraqitje me Kombëtaren e Marokut.

Debutimin në nivelin senior e bëri në moshën vetëm 16-vjeçare, duke tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha evropiane.

Pas zyrtarizimit të transferimit, Bouaddi shprehu emocionet për aventurën e re në Angli.

“Është një ditë e veçantë për mua dhe familjen time. Manchester City është klubi më i mirë në botë. Është ëndërr të jem këtu dhe ta quaj veten lojtar të Cityt”, ka deklaruar 18-vjeçari.

Tashmë mbetet të shihet se çfarë roli do të ketë Bouaddi në skuadrën e Pep Guardiolës dhe nëse do ta dëshmojë shpejt potencialin e madh që e bëri një prej talenteve më të kërkuara në Evropë.

D.L

Exit mobile version