Sulmuesi i Shqipërisë, Rey Manaj është shprehur i bindur se në sfidën e radhës në Kampionatin Evropian, atë kundër Spanjës, Shqipëria do të zbres në fushë me qëllimin për të marrë fitoren jetime dhe për të bërë histori duke u kualifikuar në fazën tjetër të Euro 2024.
Në konferencë për media, Manaj tha se fakti që nuk morën pikët e plota ndaj Kroacisë i ka lënë të zhgënjyer, por që tani vëmendja është tek Spanja.
“Besoj se mund të kishim arritur tre pikëshin, patëm ato katër minuta që na bënë dy gola. Besoj se goli i dytë mund të jepej faull, por gjyqtari tha se nga VAR-i nuk kishte asgjë. Jemi një çikë pishman që nuk morëm dot tre pikëshin sepse do të ishte shumë e rëndësishme se tani duhet të fitojmë se nuk bën me Spanjën për ta kaluar grupin dhe presim sot në darkë si do të shkojë Spanja me Italinë, normalisht se po të fitojë Spanja sot besoj se mund të kemi akoma më shumë shanse, por këto tri ditë do të përgatitemi që të bëjmë historinë dhe të marrim tri pikë kundër Spanjës”.
Ai shtoi se ekipi është i motivuar dhe shumë i vetëdijshëm që ndeshja ndaj Spanjës vendos fatin e Shqipërisë.
“Ekipi është shumë i motivuar, besojmë që edhe ndeshja e fundit është ndeshje o brenda o jashtë dhe normalisht të gjithë lojtarët si ata që do të luajnë nga fillimi si ata të stolit do të jenë të përqendruar 100 përqind sepse e pamë shumë mirë që në dy minuta mund të futet një lojtar në minutën e 35’ të ndryshojë ndeshjen dhe të bëjë gol. Emocionet janë të mëdha sepse është Kampionat Evropian, gjithë Shqipëria i ndjekë këto ndeshje si e gjithë bota”, theksoi Manaj:
Sa i përket synimit për të gjetur golin e parë, Manaj theksoi se më e rëndësishme është ecuria e kombëtares se sa objektivat personale të lojtarëve.
“Besoj se edhe Spanja ka mbrojtës shumë të mirë. Rëndësi për mua ka që ekipi të shkojë përpara, jemi ekip kombëtar dhe kryesorja është që kombëtarja të eci sa më përpara, e jo individualiteti”, tha Manaj në fund.
Kundër Spanjës, Shqipëria do të luajë më 24 qershor me fillim nga ora 21:00.