FC Prishtina ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me Prof. Malsor Gjonbalajn, i cili është emëruar udhëheqës i Këshillit Profesional të klubit.
Sipas njoftimit të klubit, Gjonbalaj, krahas angazhimit të tij akademik, prej vitesh ka dhënë kontribut të rëndësishëm në futbollin kosovar. FC Prishtina vlerëson se përvoja dhe kualifikimet e tij akademike, shkencore dhe profesionale përfaqësojnë një vlerë të shtuar për strukturat drejtuese të klubit.
Në rolin e ri, ai do të ketë përgjegjësi në hartimin e planeve zhvillimore të klubit, me fokus të veçantë në avancimin e Akademisë së të Rinjve, si pjesë e strategjisë afatgjatë të bardhekaltërve.
Klubi ka shprehur bindjen se angazhimi dhe vizioni i Gjonbalajt do të ndikojnë në forcimin e mëtejshëm të FC Prishtinës dhe në realizimin e objektivave sportive në të ardhmen.
Gjonbalaj është një emër i njohur për tifozët prishtinas, pasi ka veshur fanellën e FC Prishtinës për disa sezone në periudha të ndryshme, duke u dalluar për paraqitjet në repartin ofensiv dhe numrin e madh të golave të shënuar.
“Mirë se u ktheve në familjen bardhekaltër, Prof. Gjonbalaj!”, thuhet në fund të komunikatës së FC Prishtinës.
