Autoritetet e Malit të Zi kanë bllokuar një tjetër ngarkesë me mish të skaduar viçi në Portin e Tivarit, e cila kishte destinacion tregun e Kosovës dhe kompaninë “Apetiti SH.P.K.”. Me këtë rast të fundit, sasia e përgjithshme e mishit të ndaluar brenda vetëm 10 ditëve ka arritur në 102,491 kilogramë, apo gati 103 tonë.
Sipas njoftimit zyrtar nga Drejtoria e Doganave të Malit të Zi, në kontejnerin e ndaluar të enjten u gjetën 1,321 paketime me mish viçi të ngrirë, me peshë bruto prej 24,650 kilogramësh. Gjatë kontrollit u konstatua se afati i përdorimit të këtij mishi kishte skaduar më 14 maj 2026.
Kjo pasoi rastin e 15 shtatorit, kur autoritetet malazeze ndërprenë tranzitin për tre kontejnerë të tjerë me mbi 77.8 tonë mish viçi. Në atë rast u zbulua një skemë manipulimi ku deklaratat origjinale me afat të skaduar ishin hequr dhe ishin zëvendësuar me etiketa të falsifikuara për të fshehur datën e skadencës.
Dogana malazeze bëri të ditur se parregullsi me të njëjtën kompani kosovare janë evidentuar edhe në Portin e Durrësit pas shkëmbimit të informacioneve me administratat doganore të rajonit. Për këtë mënyrë të tentimit për shpërndarjen e mishit të skaduar është alarmuar edhe Organizata Botërore e Doganave.
Mishi i bllokuar nga rasti i parë pritet të asgjësohet sapo të përfundojnë formalitetet ligjore.
/E.A/
