Malala Yousafzai, fituese e çmimit Nobel për Paqe dhe aktiviste e arsimimit, disa muaj më parë kishte falenderuar vajzat dhe gratë në mbarë botën për atë çka bëjnë ditë pas dite.
“Do doja që çdo vajzë dhe grua të ishte krenare për veten, krenare për gjithçka ka arritur në jetën e saj. Ajo ka bërë më të mirën e saj. Dhe duhet të marrë një moment pauze dhe të vlerësojë gjithçka, pavarësisht pandemisë, ajo po përpiqet të bëjë më të mirën për të drejtuar shtëpinë, për të qenë një prind i mirë dhe të punojë, të menaxhojë gjithë këto detyra çdo ditë. Por, po ashtu duhet të kujdeset edhe për veten.
Të bëjë pak pushim. Ta shijojë. Kapni momentin, shijojeni. Dhe le të jemi mirënjohëse për të gjitha vajzat dhe gratë, pavarësisht emrit të tyre, t’i falenderojmë për gjithçka kanë bërë për të drejtat e grave dhe barazinë”, u shpreh Malala.
Nisur si një mundësi për të nxitur reagime dhe thirrjet për mundësi të barabarta dhe për të promovuar vajzat, Malala bën apel për të zgjedhur sfidën.
Yousafzai u diplomua korrikun e shkuar në Universitetin e Oksfordit, por me universitetet në Britani që janë mbyllur prej muajsh për shkak të pandemisë koronavirus, Malala e festoi diplomimin me familjen e saj, në një festë të vogël.
“Gjatë pandemisë unë u diplomova, ndaj jam një ndër të diplomuarat e 2020-s dhe kam qenë në shtëpi nga fillimi i pandemisë deri tani. Kam jetuar me familjen time, prindërit dhe dy vëllezërit. Ndonjëherë bëhet e mërzitshme, por unë po përpiqem me më të mirën time ta situatën. Por, ata janë vëllezërit e mi, pavarësisht se si janë dhe unë i dua shumë. Kam kaluar edhe kohë me miqtë e mi përmes bisedave në Zoom dhe përmes Facetime. Nuk i kam takuar asnjë prej tyre “live” për një kohë shumë të gjatë. Dhe kjo po i ndodh çdokujt. Është pandemia dhe ne duhet të kuptojmë se është shumë e rëndësishme që të jemi të sigurtë dhe të shpëtojmë edhe të tjerët kështu. Por, unë shpresoj që pandemia të përfundojë sa më shpejt, të gjithë të vaksinohemi dhe secili prej nesh të jetë i sigurtë”.
Në moshën 17-vjeçare, në vitin 2014, Malala u bë e para femër në këtë moshë që u nderua me çmimin Nobel për Paqe, për mbrojtjen dhe avokaturën që i bëri arsimimit të vajzave.
Përmes Fondacionit të saj të quajtur Malala, e cila mbron arsimimin e vajzave në vendet në zhvillim, ajo është shndërruar po ashtu në një simbol global, në mbështetje të femrave, kryesisht atyre të shtypura e të pamundura.
“Sapo nisi pandemia, gjëja e parë që Fondacioni Malala bëri ishte kërkimi për impaktin e pandemisë në edukimin e vajzave dhe kërkimet tona treguan se mbi 20 milionë vajza, në mbarë botën, rrezikojnë të humbasin mundësinë për edukim e arsimim sepse po jetojmë këtë krizë shëndetësore, por edhe krizën ekonomike që e shoqëron atë. Dhe me këtë krizë ekonomike, kryesisht në familjet me të ardhura të ulëta, shumica e këtyre vajzave janë të detyruara të martohen në moshë të re sepse duan të ulin shpenzimet për kujdesin e tyre në familje ose përfshihen në moshë shumë të re në tregun e punës, në mënyrë që të fitojnë para’ e të ndihmojnë familjet. Kjo është arsyeja përse është kaq e vështirë për këto vajza që të rikthehen në shkolla.
Ne kemi parë më përpara se si kriza të ngjashme, si Ebola apo shumë të tjera, kanë vënë në rrezik të ardhmen e këtyre vajzave njësoj siç po bën pandemia. Kjo është arsyeja përse Fondacioni Malala lindi, si një projekt në mbështetje të edukimit dhe arsimimit të vajzave. Për momentin, sido që të vijë pranë këtyre vajzave ky projekt, përmes radios apo televizioneve kombëtare, apo përmes aplikacioneve në celular, ne duam që vajzat të jenë të angazhuara në mësim, nuk duam që ato të humbasin asnjë moment. Duhet të bëjmë më shumë dhe duhet të sigurojmë kthimin e tyre në shkolla, sapo gjërat t’i rikthehen normalitetit”, u shpreh Malala.
Malala Yousafzai flet për kompaninë e saj prodhuese, Extracurricular dhe partneritetin me Apple Tv. Programi që është ideuar dhe drejtuar nga vetë Malala përfshin drama, komedi, dokumentarë, filma me animacion dhe seriale për fëmijë.
“Shpresoj që përmes programit tim, përmbajtjes së asaj që unë prodhoj, të mund t’i lidh njerëzit. Ne kemi krijuar këtë mundësi ndërlidhëse dhe njerëzit mund të na bashkohen nga kudo ku janë, kemi shumë gjëra të përbashkëta”.
Malala, sot 23 vjeç, i mbijetoi sulmit me armë të talebanëve në vitin 2012, moment prej të cilit nisi fushatën e saj për arsimimin e vajzave. Kur ishte vetëm 11 vjeç, ajo nisi një blog, në të cilin dënonte sulmet e talebanëve dhe nisi të shkruajë për të drejtat e vajzave.
Në këtë moment, një i armatosur mbërriti në shkollën e saj, duke e kërkuar. Ai hapi zjarr ndaj saj dhe dy shoqeve të saj të klasës, mbi autobus, rrugës për në shtëpi.
Ajo u dërgua fillimisht në spitalin e Pakistanit dhe në terapi intensive u dërgua në Angli, ku iu nënshtrua disa ndërhyrjeve. Pas rimëkëmbjes, Malala nisi shkollën, pikërisht në Angli, përpara se të siguronte një vend në Oksford.
“Unë besoj në rrëfimin e historisë sepse kjo ka qenë edhe pjesë e jetës sime, kjo ka qenë historia që më ka frymëzuar, që t’i tregoj njerëzve në mbarë botën se vajzat kanë nevojë për arsimim. Kemi dëgjuar të gjithë për konflikte e luftëra, i kemi parë në televizione, por ndonjëherë nuk e dimë se çfarë ndodh me vetë individin, me një vajzë të re, që do vetëm të shkojë në shkollë”, thotë Malala.
“Na lejoni t’i zgjedhim vetë librat dhe lapsat. Ato janë armët tona më të forta. Një fëmijë, një mësues, një libër dhe një laps mund të ndryshojë botën. Edukimi është zgjidhja jonë e vetme. Arsimimi, i pari”, përfundon Malala mesazhin e saj. /KultPlus