Viti 2025 do të shpallet “Viti Maks Velo”, një nderim dhe vlerësim i plotë për jetën dhe veprën e një prej intelektualëve më të shquar të Shqipërisë, piktorit, arkitektit, studiuesit dhe shkrimtarit Maks Velo. Kjo shpallje është një iniciativë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL), në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”.
Për të shënuar këtë vit të veçantë, do të organizohet një ceremoni zyrtare, si dhe një aktivitet përkujtimor që do të zhvillohet nesër, duke sjellë përpara publikut vlerat e pasura të krijimtarisë dhe jetës së Maks Velos. Ky aktivitet do të jetë një mundësi për të nderuar një figurë të rëndësishme të kulturës dhe mendimit shqiptar, një intelektual që ka lënë pas një trashëgimi të pasur në shumë fusha.
Maks Velo lindi në Paris në vitin 1935, dhe filloi studimet në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit në Institutin Politeknik. Pas këtij studimi, ai vijoi specializimin në arkitekturë, një fushë që do të shërbente si themel i krijimtarisë së tij, duke i dhënë formë ideve të mëdha dhe pasionit për artin dhe kulturën.
Një ndër periudhat më të vështira të jetës së tij ishin vitet 1978-1979, kur ai u arrestua dhe u dënua me 10 vite burg nga regjimi komunist. Gjatë burgosjes, ai vuajti torturat dhe padrejtësitë e diktaturës, duke kaluar një periudhë të gjatë e të rëndë në burgje. Pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së tij është përkushtimi për të shprehur dimensionin e lirisë dhe rezistencës ndaj dhunës dhe represionit.
Maks Velo ka pasur një karrierë të pasur si shkrimtar dhe studiues, duke lënë pas një sërë veprash të njohura që trajtojnë tema të ndryshme. Disa nga titujt më të njohur të tij përfshijnë: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Betonizimi i demokracisë”, “Hetimi”, “Spaçi”, “Jeta ime në figura”, “Klubi Karavasta”, “Përkthyesi” dhe “Jetë paralele”.
Veprat e Velos, përveçse pasqyrojnë dimensionin historik dhe kulturor të Shqipërisë, janë gjithashtu një kritikë e thellë e realitetit social dhe politik, dhe një thirrje për reflektim mbi lirinë, dinjitetin njerëzor dhe shpirtin e shoqërisë. Me shpalljen e vitit 2025 si “Viti Maks Velo”, do të kujtohet dhe nderohet një emër që ka kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme për pasurimin e kulturës dhe mendimit shqiptar./UBTNews/