Organizata Botërore e Shëndetësisë shprehu shqetësimet të martën për vrasjen e majmunëve në Brazil mes frikës nga infektimi me linë e majmunëve.
Uebfaqja braziliane e lajmeve G1 raportoi të dielën se dhjetë majmunë ishin helmuar në më pak se një javë në qytetin e Sao Jose do Rio Preto, në shtetin Sao Paulo. Incidente të ngjashme u raportuan edhe në qytete të tjera.
“Njerëzit duhet të dinë se transmetimi që shohim tani është midis njerëzve”, tha Margaret Harris, një zëdhënëse e OBSh-së, gjatë një konference për shtyp në Gjenevë.
Brazili numëron më shumë se 1 mijë e 700 raste të lisë së majmunit, sipas OBSh-së.
Ministria e Shëndetësisë e vendit konfirmoi një rast të vdekjes nga lija e majmunit më 29 korrik. Viktima ishte një burrë me imunitet të ulët dhe sëmundje shoqëruese.
Infektimi mund të ndodhë nga kafshët te njerëzit, por shpërthimi i fundit lidhet vetëm me kontaktet njerëzore, sipas Harris.
“Njerëzit sigurisht që nuk duhet të sulmojnë kafshët”, tha ajo.
Brazili ka një regjistër të gjatë të sulmeve ndaj majmunëve gjatë shpërthimeve të etheve të verdha gjithashtu.
Që nga maji, gati 90 vende kanë raportuar më shumë se 29 mijë raste të lisë së majmunëve.
OBSh e klasifikoi shpërthimin e sëmundjes dikur të rrallë si një emergjencë ndërkombëtare në muajin korrik./UBTNews/